Në kërkim të drejtësisë pas 20 vjet heshtjeje

Memoriali "Heroinat" dedikuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pas 20 vjet heshtjeje, Shyhrete Tahiri-Sylejmani ka vendosur të ngreh kallëzim penal në cilësinë e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit të Kosovë. Këtë kallëzim penal, ajo e ka ngritur më Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ajo shumë shkurt është paraqitur para mediave duke thënë se ka vendosur të kërkojë drejtësi dhe njëherësh ka inkurajuar edhe gratë e tjera, si tha ajo, viktima të dhunës seksuale, që të ndërmarrin një hap të tillë.

“Sot jam këtu të ndaj me ju dhimbjen që kam në shpirt dhe të përfaqësojë të gjitha nënat, motrat, bijat, vëllezërit që kanë këtë dhimbje si unë. U jap kurajo atyre të dalin si unë që kam dalë sot. Nuk është e lehtë aspak asnjëherë që të ndajë dhimbjen e shpirtit. Jam këtu që të kërkoj drejtësinë time dhe ju falënderoj shumë për përkrahjen tuaj”, tha Tahiri- Sylejmani.

Shyhrete Tahiri-Sylejmani është anëtare e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave Të Torturës, e cila në vazhdimësi është përpjekur t’u dalë në ndihmë të mbijetuarave të dhunës seksuale.

SHIKONI EDHE: Rreth 400 gra e 12 burra me statusin e viktimës së dhunës seksuale

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e kësaj Qendre, tha se në Kosovë ka shumë histori të heshtura dhe të pandëshkuara.

“Me kompetencë të plotë them se në periudhën e OKB-së (Misionit të UNMIK-ut) dhe EULEX-it (Misionit të BE-së) këto krime kanë mbetur të pandëshkuara. Prandaj, jemi mbledhur këtu për të kërkuar drejtësi për 20 mijë gra, vajza, burra dhe djem që kanë përjetuar këtë krim, tmerr, torturë dhe keqtrajtim gjatë periudhës së luftës”, tha Rushiti.

Ajo tha po ashtu se edhe pas 20 viteve të përfundimit të luftës, asnjë person nuk është ndëshkuar për këto krime.

“Prandaj, sot përmes dorëzimit publik të dosjes së zonjës Tahiri-Sylejmani, t’i mobilizojmë edhe gratë dhe burrat e tjerë që të kërkojnë drejtësi për krimin e bëra. Njëherësh kërkojmë nga institucionet e vendit që ta vënë prioritet këtë çështje, sepse pa drejtësi nuk ka qetësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale”, tha Rushiti.

Shyhrete Tahiri- Sylejmani është gruaja e dytë, pas Vasfije Krasniqi Goodman, që kërkon publikisht të dënohen dhunuesit e saj. Bazuar në deklaratat dhe shifrat e prezantuara nga institucionet e Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-1999, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Për krimet e pretenduara të luftës, përkatësisht rastet në të cilat të dyshuarit janë qytetarë të Serbisë, autoritetet e ndjekjes penale të Kosovës, në mungesë të marrëveshjes për ekstradim me Serbinë, gjithë procesin e hetimit dhe gjykimit mund ta zhvillojnë në mungesë të personit apo personave të dyshuar.

Vasfije Krasniqi-Goodman, para një viti ka rrëfyer publikisht historinë e saj në Kosovë, që i kishte ndodhur 19 vjet më parë. Ajo ka rrëfyer historinë e saj edhe në një seancë të mbajtur në muajin prill në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara, me temën: ”Viktimat e luftës në Kosovë”.

Video nga arkivi: Heroinat e paqes

Së fundi, përmes një postimi në rrjetet sociale, Vasfije Krasniqi-Goodman kishte kërkuar mbështetje nga shoqëria edhe për rastin e Shyhrete Tahirit-Sylemanit, duke shkruar: “Ju lutem ta mbështeteni siç më keni mbështetur mua para një viti”.

Përdhunimet, konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka luftëra e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99.

Por, deri më tani, asnjë rast nuk është raportuar të jetë zbardhur apo gjykuar nga organet e drejtësisë, qoftë në Kosovë apo në Serbi.

Për të lehtësuar sadopak gjendjen e kësaj kategorie, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

SHIKONI EDHE: Viktima e dhunës seksuale në Kosovë: Burrin e kam mbështetjen më të fuqishme

Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë thotë se deri më tani, nga numri i përgjithshëm i aplikimeve që arrin shifrën prej 1110 veta, statusi u është njohur 491 viktimave.

“Të refuzuara kemi 173 lënde, por këtu është edhe procesi i rishqyrtimit. Sepse është një numër i lëndeve që janë në rishqyrtim, ata që nuk janë pajtuar me vendimet e shkallës se parë”, tha Begaj- Balaj.

Viktimat e dhunës seksuale tashmë kanë kërkuar edhe drejtësi ndërkombëtare. Në muajin prill, Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.

Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara me shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë.