Banesa e Dragica Gashiqit në Gjakovë, e cila në fillim të qershorit është bërë serbja e parë që është kthyer në këtë qytet, “është thyer dhe plaçkitur”.
Kështu deklaroi vetë Gashiq për Radion Evropa e Lirë, por Policia e Kosovës tha se nuk mund ta konfirmojë lajmin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Nusret Xhurkaj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë vetëm se Gashiq është kthyer në banesë të martën nga Klina, ku ka vizituar motrën e saj.
“E shoqëruar nga policia, ajo ka arritur në banesë dhe një roje e policisë është vendosur para ndërtesës së saj”, tha Xhurkaj, për të shtuar se, deri më tani, nuk ka asnjë informacion se banesa e saj është thyer dhe plaçkitur.
Megjithatë, Gashiq tha se e ka raportuar rastin në polici.
Sipas saj, në banesë mungojnë sendet e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit.
Gjëja më e vështirë, sipas saj, është se dera e përparme nuk mund të mbyllet tani dhe se ajo nuk e di se si do ta kalojë natën në këto kushte.
“Nuk mund të riparohet assesi”, tha Gashiq.
Në fund të qershorit, Gashiq ka bërë përpjekje ta ndryshojë derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësojë atë me një të blinduar, por policia nuk e ka lejuar ta bëjë këtë, me arysetimin se duhet të marrë leje komunale për diçka e tillë.
SHIKONI EDHE: Petkoviq: Në dialogun e Brukselit ngritëm çështjen e Dragica GashiqitNë fillim të korrikut, Komuna e Gjakovës ka ngritur padi kundër Gashiqit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar që ajo “të anulojë kontratën për marrjen me qira të banesës”.
Gashiq tha për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka ndërmend të largohet nga banesa e saj në Gjakovë.
Në lidhje me plaçkitjen e pretenduar të banesës së saj reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Padyshim, ata që e ndaluan Dragicën të vendosë derën e blinduar, donin ta shënjestronin atë për të disatën herë dhe kërcënimet e tyre u realizuan”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Beograd.
I njëjti thekson se për këtë incident do të njoftohen Brukseli dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Dy organizata kritikojnë veprimet kundër Dragica Gashiqit