Von Cramon ia dorëzon Parlamentit Evropian draft-raportin për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon. Fotografi ilustruese.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon – Taubadel, ka dorëzuar draftin e raportit të saj vjetor për Kosovën, për të cilin do të diskutohet fillimisht në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërsa më vonë gjatë vitit edhe në seancë plenare.

Ky tekst përmban pikat e përgjithshme, ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë.

Në këtë draft-raport, Parlamenti Evropian “mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, kur Çekia kryesonte bllokun, ndërsa tash Presidenca suedeze është duke u konsultuar me vendet anëtare për hapat e mëtejmë.

Në draft thuhet, po ashtu, se “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vite që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt.

Në fund të vitit 2022, vendet anëtare të BE-së më në fund kanë arritur pajtueshmëri për të finalizuar procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së – që Parlamenti Evropian e përsërit secilin vit në raportet për Kosovën - është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe.

“Ftohen vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.

Sa i përket situatës në Kosovë thuhet se vendi ka pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021, dhe në draft u bëhet ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrin më shumë veprime për t'u përballur me sfidat në rrugëtimin evropian.

Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, të drejtave themelore, dhe normalizimin e raporteve me Serbinë”.

SHIKONI EDHE: Kurti për REL: Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare

Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ky institucion mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t'u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.

Në këtë tekst përshëndetet, po ashtu, përkushtimi për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.

Në raport shprehet keqardhje për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit, dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t'i japin fund praktikës së abstenimit.

Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë, në tekst thuhet se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por ka shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim shprehet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.

SHIKONI EDHE: Media dhe Qeveria s’e shohin me një sy njëra-tjetrën

Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tani në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

SHIKONI EDHE:

Hovenier: Nuk mbështesim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës

Tutje, në tekstin e draft-raportit për Kosovën dënohen edhe tensionet në veri të vendit. Por, mirëpritet pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe përshëndeten edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nga BE kërkohet që të dinamizohet procesi i zgjerimit, duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

Deputetët e Parlamentit Evropian do të kenë mundësi që të paraqesin amendamentet e tyre në këtë raport. Pas kësaj, do të votohet edhe për amandamentet edhe për raportin në tërësi.