EMA: Ende herët për të vendosur rreth dozës së tretë të vaksinës

Një punëtor shëndetësor në Spanjë duke administruar një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të rekomanduar përdorimin e dozave përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

Ky njoftim nga rregullatori evropian i barnave vjen në kohën kur shtete të Bashkimit Evropian kanë thënë se nga muaji shtator do të nisin dhënien e dozës së tretë për pjesën e ndjeshme të popullatës.

Pavarësisht se EMA ka thënë se i duhen më shumë të dhëna për të rekomanduar dozën e tretë, Gjermania dhe Franca kanë thënë se do të vazhdojnë me planet e tyre për të administruar doza përforcuese.

Po ashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë, të mërkurën ka bërë thirrje që të ndalohet administrimi i dozave përforcuese derisa më shumë njerëz në mbarë botën të vaksinohen.

“Aktualisht është shumë herët të konfirmojmë nëse dhe kur do të nevojitej doza përforcuese kundër COVID-19 sepse ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme nga fushatat e vaksinimit dhe nga studimet që janë duke u kryer, për të kuptuar sesa zgjat mbrojtja nga vaksinat”, tha EMA të premten.

SHIKONI EDHE: Gjermania dhe Franca injorojnë thirrjen e OBSH-së për dozat përforcuese të vaksinave

Pas raportimeve se Berlini dhe Parisi zyrtar planifikojnë të administrojnë doza të treta, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se vendimet për vaksinim janë në duar të qeverive të shteteve anëtare të bllokut, por theksoi se BE-ja i inkurajon shtetet anëtare që për këtë çështje të marrin vendime që janë në përputhje me rekomandimet e Agjencisë Evropiane të Barnave.