Një panel i pavarur në Administratën amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA), ka përkrahur dhënien e dozave përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech, mirëpo vetëm për amerikanët më të moshuar edhe ata që janë më të rrezikuar.
Ndonëse rekomandimi nuk është detyrues, udhëzimi i panelit përbën dallim prej planit të presidentit amerikan, Joe Biden për të ofruar doza shtesë për pothuajse të gjithë amerikanët.
Rregullatori amerikan, FDA, që zakonisht zbaton këshillat e panelit, pritet të marrë vendimin zyrtar javën tjetër.
Ekspertët e panelit kanë thënë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për dozat përforcuese dhe ka vënë në pikëpyetje dhënien e vaksinave shtesë për të gjithë, në vend që ato të ndahen vetëm për grupet më të cenueshme.
SHIKONI EDHE: Vendet në Evropë do të nisin me doza përforcuese të vaksinavePërmes një votimi unanim, paneli ka vendosur që secili person mbi moshën 65-vjeçare dhe ata që janë të rrezik të madh, të marrin dozën e tretë, gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Ndonëse disa kërkime kanë treguar se efekti i vaksinës zbehet pas një kohe dhe dozat përforcuese mund ta kthejnë mbrapsht këtë gjë, vaksina e kompanisë Pfizer mbetet tejet efektive kundër sëmurjes së rëndë dhe vdekjes, diçka që paneli e ka pasur parasysh kur ka thënë se doza shtesë nuk është e nevojshme për popullsinë e përgjithshme.
Pfizer ka thënë se është e rëndësishme që të përforcohet imuniteti kundër COVID-19, para se të zbehet tërësisht.
Kompania ka thënë se të dhënat nga testimet klinike kanë treguar se efekti i vaksinës është zbehur për gati 6 për qind çdo dy muaj pas marrjes së dozës së dytë.