Pfizer/BioNTech: Tri doza të vaksinës janë efektive kundër Omicronit

Doza e tretë e vaksinës Pfizer kundër koronavirusit rezulton efektive edhe ndaj variantit Omicron. Fotografi nga arkivi.

Kompanitë, Pfizer dhe BioNTech njoftuan më 8 dhjetor se tri doza të vaksinës së këtij prodhuesi kundër COVID-19, treguan që gjenerojnë efekte neutralizuese kundër variantit të ri të koronavirusit, Omicron.

Ky përfundim u nxor pas testimeve intensive që kompania bëri në laborator.

Në njoftimin e parë zyrtar nga prodhuesi i vaksinës lidhur me efikasitetin e vaksinës së saj kundër Omicronit, BioNTech dhe Pfizer njoftuan se dy doza të vaksinës rezultuan që kanë më pak efekt në neutralizimin e antitrupave por me dozën e tretë të vaksinës, vërehet rritja e efikasitetit.

Rezultatet janë preliminare derisa gjetjet janë përshkruar vetëm në një komunikatë për media. Më shumë të dhëna ende nuk janë të qasshme.

Kompania mes tjerash shtoi se nëse është e nevojshme, vaksinat që do të kishin për bazë variantin Omicron do të mund të ishin gati deri në mars 2022.

Nga 9 dhjetori edhe në Kosovë fillon dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, konfirmoi më 8 dhjetor Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Kosova miraton dhënien e dozës së tretë

“Doza përforcuese u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], por te të cilët, me kalimin e kohës, imuniteti vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, njoftoi MSH-ja.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë qysh në shtator të nisë dhënien e dozës përforcuese.

SHIKONI EDHE: OBSH: Vaksinat do të duhej të funksiononin ndaj Omicronit  

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova ka në stok rreth 400 mijë doza të vaksinave, si dhe disa të tjera të kontraktuara.

Vaksinat që jepen në Kosovë, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Njëkohësisht edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se vaksinat mbrojnë njerëzit nga varianti Omicron. Sipas doktorit Mike Ryan nga OBSH-ja, të dhënat e para dëshmojnë se Omicron nuk i bënë njerëzit më të sëmurë sesa Delta apo variantet tjera.