Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka shpallur non grata (të padëshiruar) një zyrtar rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Sipas njoftimit të ministres, vendimin e ka marrë me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“[Vendimi është marrë] për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e ministres.
Ajo ka shtuar se “Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon”.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tone”, thuhet në njoftim.
Ministrja nuk ka dhënë detaje të tjera në lidhje me zyrtarin e shpallur non grata.
Rikujtojmë se më 22 tetor të këtij viti Kosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte njoftuar se diplomatët janë urdhëruar të largohen nga vendi.
SHIKONI EDHE: Kosova, portë e hapur për diplomacinë ruse