Komiteti: Trump injoroi thirrjet për dënimin e dhunës në Kongres

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shikoi nga televizori trazirat në Kongres më 6 janar të vitit 2021 dhe injoroi fëmijët dhe këshilltarët e tij, të cilët “iu lutën” që ta dënonte turmën, u tha në një seancë dëgjimore të Komitetit të Kongresit për hetimin e sulmeve të vitit të kaluar.

Në seancën dëgjimore u tha se Trump nuk u telefonoi forcave të rendit apo stafit të sigurisë kombëtare.

Ai ishte i motivuar “nga dëshira egoiste për të qëndruar në pushtet”, pretendoi hetimi.

Të enjten mbrëma, në seancë, u tha se një ditë pas trazirave, Trump deklaroi se “nuk dua të them se zgjedhjet kanë përfunduar”.

SHIKONI EDHE: Me çfarë akuzash mund të përballet Trump?

Komiteti hetues i Dhomës së Përfaqësuesve dokumentoi rreth 187 minuta, që nga koha kur Trump u largua nga një tubim duke dërguar mbështetësit e tij në Kongres deri në kohën kur ai lëshoi një video nga Shtëpia e Bardhë, dhe paneli argumentoi se nuk kishte asgjë që mund ta detyronte presidentin që të vepronte. Në vend se të vepronte, në panel u tha se Trumpi vendosi që ta shikonte ngjarjen përmes televizorit.

“Presidenti Trump nuk dështoi që të vepronte”, tha republikani Adam Kinzinger, një kritik i Trumpit. “Ai vendosi që të mos vepronte”.

Pas muajsh pune dhe javë të tëra të seancave dëgjimore, seanca e së enjtes nisi duke fajësuar Trumpin për sulmin vdekjeprurës dhe për kërkesën që ai i kishte bërë turmës në Uashington, që nxiti shkuarjen e tyre në Kapitol.

Presidenti Trump, i cili humbi zgjedhjet presidenciale, shndërroi “dashurinë për vendin në një armë”, tha nënkryetarja e panelit, republikania Liz Cheney.

Kjo pritet të jetë seanca e fundit e panelit para pushimit të verës dhe pritet që të rinisë punën në shtator me më shumë dëshmitarë dhe informacione. Cheney tha se “diga kishte filluar të thyhej” dhe nisi të tregonte se çfarë ndodhi më 6 janar në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në Kongresin amerikan, që u përfshi nga dhuna.

“Donald Trump bëri një zgjedhje të qëllimshme për të shkelur betimin e tij” si president, tha Cheney.

“Çdo amerikan duhet ta marrë parasysh këtë: a mund t’i besohet ndonjëherë një presidenti që është i gatshëm të bëjë zgjedhjet që bëri Donald Trumpi gjatë dhunës së 6 janarit, që ai të ketë ndonjë pozicion të rëndësishëm në shtetin tonë”, pyeti ajo.

SHIKONI EDHE: Ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë: Trump e dinte që protestuesit e 6 janarit ishin të armatosur

Trump, i cili po e shqyrton mundësinë që të garojë sërish për president, tha se ky komitet është një “gjyq kangurësh” dhe se paneli dhe dëshmitarët po tregojnë “shumë gënjeshtra dhe po keqinterpretojnë”.

Në seancën e së enjtes për sulmin ndaj Kongresit, u shfaqën ngjarjet që rrodhën minutë pas minute dhe u vlerësuan veprimet e Trumpit.

Para panelit dëshmuan dy këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët kishin dhënë dorëheqje pasi nisi dhuna në Kapitol.

“Mendova se 6 janari i vitit 2021 ishte një prej ditëve më të errëta në historinë e shtetit tonë”, tha Sarah Matthews. “Dhe, presidenti Trump po e trajtonte si një rast feste. Kështu që, thjesht, kjo më shtyri të jap dorëheqje”.

Komiteti, gjithashtu, transmetoi një audio-iniczim të gjeneralit Mark Milley, shef i Shtabit të Përgjithshëm, i cili kishte reaguar me habi ndaj mosveprimit të presidentit gjatë sulmit ndaj Kapitolit.

“Ju jeni komandant suprem. Keni një sulm që po ndodh ndaj Kongresit dhe ju nuk bëni asgjë? Asnjë telefonatë? Zero?”, tha ai.

Më 6 janar, Trump kishte kërkuar që të dërgohej në Kongres pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën, por ekipi i tij i sigurisë kishte refuzuar.

SHIKONI EDHE: Trump i konsideron hetimet për dhunën në Kongres si "gjyq kangurësh"

Para panelit dëshmoi edhe Matt Pottinger, ish-zëvendëskëshilltar për Siguri Kombëtare, i cili tha se turma në Kongres brohoriste “Vareni Mike Pencen”, nënpresidentin e atëhershëm të SHBA-së, teksa Trumpi kishte postuar në Twitter mesazhe kundër nënpresidentit Pence.

Pottinger tha para panelit se kur pa postimet e Trumpit, vendosi që të jepte dorëheqje. Ai tha se këto postime në Twitter ishin sikurse “të hidhej benzinë në zjarr”.

Në panel u shfaqën edhe mesazhet telefonike që djali i presidentit, Donald Trump Jr., i kishte dërguar babait të tij duke i kërkuar që ta ndalte turmën.

Më 6 janar 2021, mbështetësit e presidentit të atëhershëm, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kapitolit, pasi Trump humbi zgjedhjet. Në përleshjet e dhunshme u vranë pesë persona. Turma marshoi drejt Kongresit në kohën kur ligjvënësit po certifikonin fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.