Letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Ameriksë, Donald Trump drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është përkujtesë ndaj Shqipërisë që të ketë kujdes nga rritja e ndikimit ekonomik të Kinës dhe të nënshkruajë marrëveshje për teknologjitë digjitale dhe G5 me SHBA-në, shprehet eksperti i për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe studiuesi, Roland Gjoni.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Gjoni thotë se letra e Trump drejtuar kryeministrit Rama ka dy shtylla themelore, e para që lidhet me planet amerikane për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të Kinës në rajonin e Ballkanit dhe e dyta që lidhet me zgjedhjet presidenciale amerikane për t’i konsoliduar arritjet e administratës amerikane në politikën e jashtme, në veçanti ato që lidhen me Izraelin dhe përpjekjet e administratës Trump në qasjen ndaj Lindjes së Mesme.
“Ndonëse Serbia dhe Mali i Zi janë vendet ku Kina ka investuar më shumë në dekadën e fundit, SHBA ka shprehur shqetësimin edhe për projektet kineze në Shqipëri”, thekson Gjoni.
Shqipëria është pjesë e dy iniciativave kryesore kineze në Evropë, Iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe platformës 17+1 që përfshin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, pos Kosovës. Këto iniciativa parashohin thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kinës dhe shteteve evropiane dhe depërtimin tregtar të Kinës në Evropë.
Letra e Presidentit Trump vjen në vazhdën e përpjekjeve të intensifikuara të diplomacisë amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe në pjesë të tjera të Evropës për ta zmbrapsur ndikimin rus dhe kinez nga kontinenti evropian.
Në shtator, në kuadër të ndërmjetësimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, Serbisë i është kërkuar të diversifikojë burimet e energjisë me gjasë për të zbutur monopolin energjetik të Rusisë në tregun serb dhe të zotohet që nuk do ta hapë tregun e saj ndaj ndikimit teknologjik kinez.
Sipas Gjonit, investimet kineze në Shqipëri shtrihen në sektorët e infrastrukturës, burimeve natyrore, menaxhimin e aeroportit të vetëm funksional të vendit dhe ndikimit të rritur kulturor nëpërmjet bursave studentore dhe shkëmbimeve të tjera duke shfrytëzuar lidhjet miqësore mes Shqipërisë dhe Kinës para rënies së komunizmit, si dhe orvatjeve për të investuar në rrjetet G5 ndërmjet Vodafone ne firmës kineze Huawei.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Një aspekt tjetër i ndikimit kinez, thotë Gjoni, është edhe promovimi i një klime pranuese për rolin ekonomik të Kinës që ushtrohet përmes kultivimit të marrëdhënieve të mira me mediat në Shqipëri.
Kryeministri Rama është deklaruar se Shqipëria nuk do të pranojë investime nga Kina dhe sipas informacioneve publike projektet janë pezulluar ose nuk kanë filluar fare të zbatohen. Ndërkohë, nën udhëheqjen e Ramës, Shqipëria i është bashkangjitur iniciativës së Tre Deteve, iniciativë perëndimore si kundërpërgjigje ndaj platformës 17+1 në Evropë.
Megjithatë, thekson Gjoni, përkundër vullnetit të Shqipërisë për të pezulluar bashkëpunimin ekonomik me Kinën që do të shtonte ndikimin e saj në këtë pjesë të Ballkanit, një thirrje e këtillë nga administrata Trump “do kishte më shumë kuptim nëse SHBA-ja rrit praninë e saj ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri.”
“Në Shqipëri dhe Kosovë shohim një rol tepër të zbehtë te biznesit amerikan. Kjo vjen edhe nga fakti se Shqipëria dhe Kosova merren si të mirëqena si popujt më pro-amerikane në rajonin e Ballkanit, të cilat nuk kanë treguar interes për Plan B, C apo D në orientimin e tyre gjeopolitik”, thotë Gjoni.
SHIKONI EDHE: "Interesat strategjike" të Tiranës karshi kërkesës amerikane për nismën kineze“Mirëpo, të dy këto vende janë ndër më të varfrat në Evropë dhe krahas thirrjeve për kujdes ndaj investimeve kineze, SHBA-ja do ishte mirë të rrisë edhe investimet dhe punësimin në Shqipëri dhe Kosovë”.
Deri më sot, sipas Gjonit, “Amerika nuk ofron ndonjë alternativë në fushën ekonomike dhe për shumë vite nuk ka vepruar ndaj rritje së rolit të aktorëve të tjerë në rajon si Kina, Turqia, Rusia, Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit Persik”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në letrën dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, poashtu ka bërë thirrje Shqipërisë të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Kryeministri Edi Rama megjithatë, duke thënë se SHBA-ja ka qenë dhe mbetet pikë referimi e palëvizshme për vendin, “lëvizjet konkrete janë çështje tona”.
“Si çështje e jona, ne i trajtojmë me shume kujdes dhe vendosim në momentin e duhur, gjithmonë në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë, dhe asnjëherë duke harruar që ne jemi aleat strategjik të SHBA-së dhe të BE-së, dhe në politikën e jashtme, e përsëris, ne jemi të linjëzuar me BE-në”, ka deklaruar Rama.
Sipas Gjonit, kjo kërkesë e Trump do ta vendoste Shqipërinë në pozitë të palakmueshme në raport më Bashkimin Evropian e cila e kundërshton njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe me Turqinë, e cila ushtron një ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe politik në Shqipëri.
“Thirrja që Trump i drejton Shqipërisë për të zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem besoj se është problematike dhe do të refuzohet me mirësjellje nga autoritetet shqiptare,” theksoi Gjoni.