Donald Trump shpallet fajtor për mashtrim financiar

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mashtruar për vite të tëra duke e ndërtuar perandorinë e vet të pasurisë së patundshme e cila e bëri atë të famshëm dhe e çoi në Shtëpinë e Bardhë, sipas vendimit të një gjykatësi amerikan më 26 shtator.

Gjykatësi Arthur Engoron - në verdiktin e tij për padinë civile ndaj Trumpit e cila u ngrit nga prokurorja e Nju Jorkut Letitia James - gjeti se Trumpi dhe kompania e tij i kishin mashtruar bankat, siguruesit dhe të tjerët duke i mbivlerësuar shumë asetet e tij dhe duke rritur tej mase vlerën e pasurisë së tij në dokumente të përdorura për të arritur marrëveshje dhe për të marrë hua.

Engoron urdhëroi që Trumpit t’i hiqen licencat e disa prej bizneseve të tij si ndëshkim, duke ia bërë atij të vështirë apo të pamundur të bëjë biznes në Nju Jork. Ai tha se një vazhdues i pavarur do të vazhdojë t’i mbikëqyrë aktivitetet e Organizatës së Trumpit.

SHIKONI EDHE: Trump paditet për mashtrim lidhur me biznesin familjar

Trumpit do t’i hiqet autoriteti për të marrë vendime strategjike dhe financiare në disa prej pronave kryesore në Nju Jork, nëse ankesa e tij ndaj këtij vendimi nuk është e suksesshme.

Në një sërë deklaratash, Trumpi u ankua ashpër ndaj vendimit, duke e quajtur atë “joamerikan” dhe pjesë të një komploti të vazhdueshëm për ta dëmtuar fushatën e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

“Të drejtat e mia civile janë shkelur, dhe Gjykata e Apelit, qoftë ajo federale po shtetërore, duhet ta shfuqizojë këtë vendim të tmerrshëm”, shkroi ai në rrjetin e vet social, Truth Social.

Ai nguli këmbë se kompania e tij ka “bërë punë të shkëlqyer për shtetin e Nju Jorkut” dhe se ka bërë biznes “në mënyrë të përsosur”, duke e quajtur vendimin “një ditë shumë pikëlluese për sistemin e drejtësisë në shtetin e Nju Jorkut”.

SHIKONI EDHE: Trump përballë problemeve ligjore teksa synon Shtëpinë e Bardhë

Avokati i Trumpit, Christopher Kise, tha se do të ankohet ndaj vendimit, të cilin e quajti “aspak në përputhje me faktet dhe ligjin”.

Përtej mburrjeve për pasurinë e tij, Trumpi bashkë me kompaninë dhe ekzekutivët e vet gënjyen vazhdimisht për pasurinë në deklaratat vjetore financiare, duke siguruar shpërblime si, hua të favorshme dhe sigurime të lira, tha Engoron në vendimin e tij.

Këto taktika e kaluan kufirin dhe e shkelën ligjin, tha gjykatësi.

Prokurorët e Manhatan kishin shikuar mundësinë të ngrinin aktakuzë penale për veprat e njëjta, por dështuan ta bëjnë, duke e lënë Jamesin ta padisë Trumpin dhe të kërkojë ndëshkime të cilat do t’ia pamundësonin atij dhe familjes së tij bërjen biznes.

SHIKONI EDHE: Trump refuzon t’u përgjigjet pyetjeve në hetimin e Nju Jorkut

Sot, një gjykatës mori vendim në favorin tonë dhe gjeti se Trumpi dhe Organizata Trump mashtruan financiarisht për vite”, tha prokurorja James.

Avokatët e Trumpit i kishin kërkuar gjykatësit ta hidhte poshtë padinë, duke argumentuar se nuk kishte prova se publiku ishte penguar nga veprimet e Trumpit.

James, një demokrate, e paditi Trumpin dhe Organizatën Trump para një viti, duke i akuzuar se i kishin fryrë rregullisht vlerat e aseteve, si rrokaqiejve, fushave të golfit dhe pronën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Engoron gjeti se Trumpi vazhdimisht e mbivlerësoi Mar-a-Lagon, duke e fryrë vlerën e saj në një deklaratë financiare për hiç më pak se 2.300%. Trump kishte gënjyer edhe për madhësinë e apartamentit të tij në Manhatan. Ai kishte pretenduar se ndërtesa e tij trekatëshe Trump Tower ishte gati tri herë më e madhe se madhësia e vërtetë e saj, duke vlerësuar atë 327 milionë dollarë.

SHIKONI EDHE: Katër aktakuza ndaj Trumpit: Ja ku qëndrojnë të gjitha rastet kundër tij


“Një mospërputhje e kësaj madhësie nga një zhvillues i pasurisë së patundshme, i cili e ka rritur hapësirën e vet të jetesës për dekada, mund vetëm të cilësohet mashtrim”, tha Engoron.

Padia e Jamesit është vetëm njëra nga kokëçarjet ligjore për Trumpin, liderin e garës së republikanëve për kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Ndaj Trumpit janë ngritur katër aktakuza në gjashtë muajt e fundit, në të cilat akuzohet në Xhorxhia dhe Uashington se u përpoq ta zhbënte humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Në Florida për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve të klasifikuara dhe në Manhatan për falsifikimin e regjistrave biznesore.

Përgatiti: Ekrem Idrizi