Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë ka shpalosur një plan që do t’ia paraqes Kongresit, që sipas tij, do të mundësonte hapjen e menjëhershme të Qeverisë amerikane, e cila është e mbyllur pjesërisht që katër javë.
Presidenti Trump e cilësoi gjendjen në kufirin jugor të vendit – kufiri me Meksikën – si krizë humanitare dhe të sigurisë, andaj ai tha se është e nevojshme që të ndërtohen barriera të çelikta përgjatë kufirit, për të ndaluar, siç u shpreh ai, migrantët e paligjshëm dhe trafikun e drogës.
Mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane ka ardhur si pasojë e refuzimit të demokratëve që të financojnë ndërtimin e një muri përgjatë kufirit të Meksikës, gjë për të cilën Trump ka kërkuar 5,7 miliardë dollarë.
SHIKONI EDHE: Kriza rreth murit në SHBA
Presidenti Trump tha se ka vendosur që të ofrojë “kompromis”, duke vendosur që të zgjasë edhe për tre vjet programin e njohur si DACA, që ka të bëjë me personat që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, kur kanë qenë fëmijë.
Në këtë program janë të përfshirë 700,000 persona, të cilët, përmes këtij programi mbrohen nga deportimi dhe u lejohet që të punojnë, por jo që të aplikojnë për shtetësi.
Po ashtu, do të ofrojë mbrojtje për përfituesit e Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme (TPS). Mbi 300 mijë persona nga shtete që janë të prekura nga lufta apo fatkeqësitë, përmes këtij programi, u lejohet që të punojnë dhe të jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Propozimi nuk synon që të zgjidhë të gjitha problemet me migrimin, por ky plan zgjidhë krizën e tanishme, që është e tmerrshme, një krizë humanitare, që rrallë kemi parë në vendin tonë. Ky plan ofron një siguri të vërtetë të kufirit dhe hapjen e menjëhershme të Qeverisë”, tha Trump.
Trump tha se udhëheqësi i Senatit, Mitch McConnell është zotuar se do ta dërgojë këtë plan në Senat javën e ardhshme.
Demokratët ende nuk kanë reaguar lidhur me propozimin e Trumpit për hapjen e Qeverisë.
Por, para adresimit të presidentit amerikan, mediat kishin publikuar disa detaje të planit që pritej Trump të paraqiste.
Lidhur me këto raportime, kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në një deklaratë të lëshuar të shtunën, kishte thënë se raportimet e mediave, “bëjnë të qartë se propozimi i tij (i presidentit Trump) është një përmbledhje e disa iniciativave të kundërshtuara më parë, që secila prej tyre, në tërësi janë të paparanueshme, ato nuk paraqesin një përpjekje të sinqertë për të rivendosur sigurinë e jetës së njerëzve”.
“Propozimi i tij nuk jep një zgjidhje të përhershme për migrantët e rinj (të përfshirë në programin DACA) apo përfituesit e TPS që shtetit tonë i duhen dhe i mbështetë”, ka thënë Pelosi.
Që prej mbylljes së pjesshme të Qeverisë, 800 mijë punonjës federalë janë duke punuar pa paga.
Kjo është mbyllja më e gjatë në histori e Qeverisë amerikane.