Kompania për patundshmëri e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është gjobitur me 1.6 milion dollarë nga një gjykatë në Nju Jork, lidhur me mashtrime tatimore.
Gjykata në dhjetorin e vitit të kaluar e gjeti fajtore Organizatën Trump për mashtrim dhe falsifikim të të dhënave biznesore.
Kompania është sinonim me emrin e ish-presidentit amerikan, por as ai dhe familja e tij nuk ishin pjesë e gjykimit.
I vetmi person i akuzuar për këtë skemë ishte ish-shefi financiar i kompanisë, Allen Weisselberg.
Megjithatë, Trump vazhdon të përballet me probleme ligjore, përfshirë edhe një padi tjetër që autoritetet në Nju Jork kanë ngritur kundër tij dhe fëmijëve të tij lidhur nën dyshime për mashtrim.
SHIKONI EDHE: Trump paditet për mashtrim lidhur me biznesin familjarDy nëndegë të Organizatës Trump – Trump Corp dhe Trump Payroll Corp – u gjetën fajtore nga gjykata në Nju Jork për pasurim të drejtuesve kryesorë të kompanive nga përfitimet për të cilat nuk kishin paguar taksa për 15 vjet, sikurse makinat luksoze dhe tarifat e shkollave private.
Këto përfitime u bën përmes paraqitjes së pagave më të ulëta, thanë prokurorët, duke thënë se kjo ishte bërë me qëllim që biznesi të mos paguante taksa të larta.
Kjo është hera e parë që kompanitë e Trumpit gjobiten në një rast penal.
Gjoba, që u lëshua nga gjykata penale në Manhatan të Nju Jorkut, ishte në vlerën më të lartë që gjykata mund të japë për raste të tilla.
Megjithatë, vlera e gjobës është minimale krahasuar me përfitimet e kompanisë. Organizata Trump raportohet se kishte përfituar 446 milionë dollarë më 2019.
Në deklaratën për media, prokurori i qarkut të Manhatanit, Albin Bragg Jr, tha se ky dënim paraqet “një kapitull të rëndësishëm” në hetimet që po vazhdojnë ndaj Trumpit dhe bizneseve të tij.
Ndryshe, ish-shefi i financave të kompanisë së Trumpit, Allen Wesselberg, u dënua me pesë muaj burgim për shkak të rolit të tij në skemën e mashtrimit tatimor. Ai u gjet fajtor për fshehjen e të ardhurave në vlerë prej më shumë se 1.7 milionë dollarëve.
Trump më herët ishte zotuar se do të apelonte vendimin. Ai ka thënë se gjykimi ishte i motivuar politikisht.