Plani i Trumpit: Zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

Presidenti amerikan, Donald Trump në konferencën e përbashkët me kryeministrin izraelit Benajmin Netanyahu. Shtëpia e Bardhë, 28 janar, 2020.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve, gjatë prezantimit të planit të tij për Lindjen e Mesme.

Megjithatë ai tha se plani parasheh që Jerusalemi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Presidenti amerikan shtoi se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë, premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor.

Ai tha se marrëveshja do të "dyfishonte" territorin nën kontrollin e palestinezëve.

Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të vështira dhe më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Presidenti Trump gjatë një paraqitjeje së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se plani “mund të jetë mundësia e fundit" për palestinezët.

Netanyahu tha se është një plan i mrekullueshëm për Izraelin dhe për paqen.

Ai shprehu gatishmërinë të negociojë me palestinezët bazuar në këtë plan.

Konferenca e përbashkët e Trumpit dhe Netanyahut.

Kreu i opozitës izraelite, Benny Gantz, i cili gjithashtu u takua me Trumpin të hënën, e quajti planin "një moment historik dhe të rëndësishëm".

Udhëheqësit palestinezë thonë se ata nuk janë ftuar në Uashington për prezantimin e "projektit të fshehtë të paqes" të presidentit Trump.

Mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës, kundër planit të paqes.

Megjithatë, të hënën, udhëheqësi palestinez, Mahmoud Abbas, tha se nuk do të pajtohej me ndonjë marrëveshje që nuk siguronte një zgjidhje dy-shtetesh.

Një zyrtar i lartë amerikan i ka thënë agjencisë Reuters, se nëse palestinezët pranojnë të negociojnë atëherë mund të ketë lëshime në të ardhmen.

*Video nga arkivi: Gjasat e shtetësisë palestineze

Your browser doesn’t support HTML5

Gjasat e shtetësisë palestineze

Pikat kryesore të planit?

Agjencia Reuters ka publikuar disa pjesë kyçe të cilat i adreson plani i presidentit Trump:

* Statusi i Jerusalemit, duke përfshirë vendet historike të shenjta.

* Vendosja e kufijve me pajtim të dyanshëm.

* Arritja e marrëveshjeve të sigurisë që do të hiqte frikën e Izraelit nga sulmet e palestinezëve dhe fqinjëve armiqësorë.

* Kërkesa palestineze për shtetësi në territorin e Bregut Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor - të okupuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967. ( Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largojë vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Më shumë se 400,000 izraelitë tani jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, me 200,000 banorë të tjerë në Jerusalemin Lindor).

* Gjetja e një zgjidhjeje për situatën e rëndë të miliona refugjatëve palestinezë.

* Marrëveshjet për të ndarë burimet natyrore, siç është uji.

Historiku i planit?

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, është autor kryesor i planit. Ai shpalli fazën e parë të planit në Bahrein gjatë muajit qershor 2019.

Faza e parë e planit bënte thirrje për një fond investimi 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonomitë palestineze dhe vendeve arabe fqinje.

Kushner ka punuar për dy vjet në këtë plan, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur “marrëveshje të shekullit".

Prezantimi i planit vjen në kohën kur si presidenti amerikan, Donald Trump ashtu edhe ai izraelit, Benjamin Netanyahu, janë duke u përballur me akuza dhe procese gjyqësore.

Trump përballet me një proces gjyqësor për shkarkim në Senat ndërsa ndaj Netanyahut është ngritur akuzë për korrupsion.

Të dy mohojnë akuzat.

Trump dhe Netanyahu këtë vit përballen me fushatat e rizgjedhjes - Netanyahu në mars dhe Trump në nëntor.

Përgatiti: Kestrin Kumnova