Edicioni i 22-të i Dokufest-it, festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, përfundoi më 12 gusht në Prizren me ndarjen e çmimeve. Juria pati një sfidë “të ëmbël” për të shpallur më të mirët nga 105 filmat, që garuan në tetë kategori.
Filmi “Drifting” me regji të Somnur Vardar u shpall filmi më i mirë në kategorinë Best Balkan Dox.
Ndërkaq, çmimin e publikut e fitoi “Snajka: The Diary of Expectations” të regjisores Tea Vidoviq-Dalipi. Në kategorinë e filmit më të mirë kombëtar fitues u shpall filmi “Prishtina 2002” i Trëndelina Halili.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të shtunën mbrëma, filmi “Hypermoon” me regji të Mia Engberg u shpall fitues në kategorinë International Feature Dox.
“Pacific Club” me regji të Valentina Noujaim fitoi në kategorinë International Short Dox.
Edicioni i 22-të i Dokufest-it, që nisi më 4 gusht, kishte për temë inteligjencën artificiale.
Ky edicion u përcoll edhe me një protestë pasi një grup nga Kanadaja mbajti një paraqitje në mbrojtje të transgjinorëve.
SHIKONI EDHE:
Në Prizren protestohet kundër Dokufest-itMizoritë e luftës së Ukrainës në skenën e PrizrenitSipas organizatorëve, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, “ky edicion i festivalit ishte ndër më të suksesshmit deri më tani”. Ata premtuan se do të vazhdojnë të mbështesin Dokufest-in, përmes së cilit, siç thanë ata, Prizreni “u bë qytet i njohur në botë”.