Fytyrat e Dokufest-it
Douwe Djikstra nga Holanda pas gjashtë vjetësh është rikthyer në Prizren, për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest.
"Përshtypja im është se Dokufest-i duket se është një festival shumë i rëndësishëm për komunitetin këtu dhe ju mund ta ndieni këtë, si nga filmat që janë realizuar në Kosovë nga të rinjtë", thotë Djikstra për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se ka parë disa filma të krijuar nga gra të reja nga Kosova, që sipas tij, "përçojnë mesazhe shumë të rëndësishme".
Edicioni i 22-të i Dokufest-it nisi më 4 gusht dhe do të zgjasë deri më 12 gusht.
Në këtë festival, që çdo vit gjallëron Prizrenin, shfaqen rreth 230 filma në tetë kinema, shumica e të cilave janë në ambient të hapur.
Fiona Hall nga Mein i Shteteve të Bashkuara, këtë vit për herë të parë qëndron në Prizren për Dokufest.
Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se për festivalin mësoi nga drejtori artistik i Dokufest-it, Veton Nukollari, gjatë një ngjarjeje tjetër.
"Ky festival inkorporon qytetin dhe banorët në një mënyrë të posaçme", thotë ajo.
Florentina Walser është nga Zvicra dhe gjithë verën e vitit 2023 ka vendosur që ta kalojë në Prizren.
Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se kinematë dhe lokacionet e Dokufest-it janë të veçanta.
"Por, edhe temat politike dhe për të drejtat e njeriut që trajton Dokufest-i në Prizren, që është një qytet mjaft tradicional në Kosovë, që nxiti edhe protesta.Gjithçka është shumë politike, edhe filmat janë politikë", thotë ajo.
Këtë edicion, 104 filma garojnë në tetë kategori.
Caleb dhe Lucy nga Zelanda e Re po ashtu kanë zgjedhur që të ndjekin filmat dhe dokumentarët në Dokufest.
Drejtori artisitik i Dokufest-it, Veton Nukollari, në nisje të festivalit i tha Radios Evropa e Lirë se ky edicion është ndër më të mirët sa i përket filmave të realizuar në Kosovë apo nga kineastët kosovarë që jetojnë jashtë vendit.
Era Goga nga Peja foli edhe për një protestë, të nxitur pas një shfaqjeje të një grupi kanadez në mbrojtje të transgjinorëve.
"Protesta që ndodhi është si një lloj ngritje për Dokufest-in sepse sipas meje vetëm po i jep më shumë rëndësi, edhe protesta edhe reagimi i njerëzve edhe mediat, vetëm po i japin rëndësi. Unë mendoj se të gjithë duhet ta përqafojmë sepse kudo është duke ndodhur", thotë ajo.
Dua Malazogu thotë për Radion Evropa e Lirë se përshtypje i ka bërë se sa mirë po i trajtojnë qentë endacakë të gjithë ata që po marrin pjesë në Dokufest dhe vizitorët në Prizren.
"Po i marrin edhe nëpër ndeja, me sa pash në disa fotografi. Kjo më pëlqeu. Po më jep pakëz shpresë sepse unë kam qenin këtu", thotë ajo.
Dy të rinj në Dokufest. Çdo vit, ky festival tërheq mijëra vizitorë nga Kosova dhe e mbarë bota.
Selim Maloku është vullnetar në Dokufest.
Sipas organizatorëve, edicioni i këtij viti i Dokufestit dominohet nga krijimet filmike nga Kanadaja.
Për shkak të Dokufest-it, Prizreni është mbushur me vizitorë, duke bërë që hotelet dhe bujtinat të jenë pothuajse plot.
Një person duke lëvizur me biçikletë në Prizren.
Ylli Rada, vullnetar në Dokufest, thotë se ky festival mundëson njohjen e "shumë njerëz të ndryshëm dhe të kesh eksperienca të reja".
Shumica e kinemave janë të hapura.
Era Goga dhe një shoqe e saj në Prizren. Tema e edicionit të sivjetmë është inteligjenca artificiale.
Sipas të dhënave të institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, për dhjetë ditët e ardhme do të ketë një qarkullim prej rreth 5 milionë eurosh.