Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik - i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe - vizitoi më 27 shkurt Malin e Zi ku qindra protestues e priten para ndërtesës së Parlamentit.
Dodik, i cili u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit, e cila është pjesë e Rusisë, mbërriti në Podgoricë për një takim me kryetarin e Parlamentit, Andrija Mandiç.
Takimi i Dodikut me Putinin ishte takimi i katërt prej kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.
Në takimin e majit të vitit 2023 Dodiku tha se "Republika Sërpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane".
Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe qeveria e Milojko Spajiqit i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kishin informacion zyrtar për vizitën e Dodikut, apo njoftime për takime me zyrtarë.
Protestuesit të cilët u mblodhën te ndërtesa e Parlamentit, kritikuan takimin e Mandiçit me Dodikun, duke mbajtur në duar mbishkrimet: "Ne duhet t'i themi jo Mandiçit dhe Dodikut!", dhe një pankartë ku ishte shkruar: "Të dërguarit e Putinit nuk janë të mirëpritur".
Duke hyrë në ndërtesën e parlamentit, Dodik përshëndeti turmën me tre gishta.
Protestuesit u përgjigjën duke bërtitur "fashist".
Dodik i tha Putinit se Republika Srpska refuzon t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë pavarësisht presionit nga qeveritë perëndimore dhe tha se ai nuk dëshiron ta shohë Bosnjën t'i bashkohet NATO-s.
SHIKONI EDHE: Dodiku takohet me Putinin në TatarstanDy ditë para takimit të tij me Putinin, Dodik u takua me liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili është nën sanksione nga BE-ja që nga viti 2020, për shkak të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të atij viti, që ai pretendoi se i ka fituar.
Mandiç, si një nga udhëheqësit e koalicionit të Frontit Demokratik pro-rus, me dy parti të tjera, tha se ishte një nder i madh të priste Dodikun.
Mandiç tha se me Dodikun do të diskutonte një marrëveshje bashkëpunimi të propozuar në fushat e biznesit, sportit, arsimit dhe kulturës në përputhje me marrëveshjen e Dejtonit.
Ai tha në një konferencë për media se qeveria e kaluar e kishte hedhur poshtë marrëveshjen.
Partitë opozitare reaguan ashpër ndaj vizitës së Dodikut.
Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve tha se ai erdhi me "detyrën për të përcjellë mesazhet e Putinit tek aleatët e tij në Mal të Zi".
Abaz Dizdareviç, një deputet i DPS-së, tha se vizita e Dodikut në Mal të Zi pas udhëtimeve të tij në Rusi, Bjellorusi dhe Serbi, konfirmon se zyrtarët e Malit të Zi po mashtrojnë partnerët ndërkombëtarë me agjendën e tyre evropiane.
Partia Boshnjake tha se vizita e Dodikut ishte një shenjë e qartë se Mali i Zi "po bëhet një strehë për politikanët dhe politikat që janë përfaqësues të politikës ruse në Ballkan".