Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus, aktualisht zëvendëskryetar i Këshillit rus të Sigurisë, ka akuzuar udhëheqësin konservator gjerman, Friedrich Merz, për deklarata nxitëse lidhur me pushtimin rus të Ukrainës.
Udhëheqësi i Unionit Demokristian të qendrës së djathtë në opozitë, Merz ka thënë në të kaluarën se nëse ai merr pushtetin në Gjermani mund të dërgojë në Kiev raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi, të llojit Taurus, që kancelari aktual gjerman, Olaf Scholz, ka refuzuar që t’i dërgojë në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Gjermania pritet t'i mbajë zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurtMedvedev shkroi në Telegram se këto raketa janë të afta që ta ndryshojnë ndejshëm rrjedhën e luftës në favor të Ukrainës.
“Por, rreziku i përshkallëzimit të konfliktit në një fazë më të rrezikshme rritet shumë nga sulmet me raketa lundruese”, tha ai.
Ai pretendoi se Merz dhe disa politikanë të tjerë evropianë “po e tërheqin luftën në territorin e tyre”.
Merz, i cili po synon të bëhet kancelari i ri i Gjermanisë pas kolapsimit të koalicionit të qendrës së majtët të Scholzit, së fundi tha për revistën Stern se ai është i hapur për dërgimin e këtyre raketave në Kiev.
SHIKONI EDHE: Çfarë janë raketat Taurus që janë në qendër të tensioneve ruso-gjermaneNë një intervistë të publikuar të dielën, ai propozoi se Moskës duhet t’i jepet ultimatum: Nëse bombardimet ndaj popullsisë civile në Ukrainë nuk ndalen brenda 24 orëve, kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë, me të cilat është furnizuar Kievi, duhet të hiqen.
Nëse kjo nuk mjafton, tha Merz, një javë më vonë Gjermania do t’i dërgonte Ukrainës raketat Taurus.
Ukraina po mbron veten kundër forcave ruse me armët që Perëndimi ia ka dhënë.
Medvedev, i cili ka qenë president i Rusisë nga viti 2008 deri më 2012, që kur ka nisur lufta në Ukrainë më 2022, vazhdimisht ka bërë kërcënime, përfshirë edhe kërcënime se Rusia mund të përdorë armë bërthamore kundër Perëndimit.