Në Maqedoninë e Veriut gjatë këtij viti janë djegur 733 hektarë pyje dhe kullota nga shpërthimi i 69 vatrave të zjarrit. Dëmi material llogaritet se kap vlerën e rreth 700 mijë eurove.
Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, si pasojë e zjarreve në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar u dogjën 11 mijë e 420 hektarë pyje nga më shumë se 140 vatra zjarri të regjistruara, të cilat asgjësuan më shumë se 482 mijë metër kub dru.
Për dy dekada janë djegur më se 50 për qind e pyjeve
Kirill Arsovski, biolog i cili drejton një platformë edukative mbi ambientin,(DOMA), thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë viteve të fundit Maqedonia e Veriut ka humbur më shumë se 50 për qind të hapësirave me pyje, qofshin ato gjetherënëse, gjethembajtëse, apo hapësira malore me shkurre.
SHIKONI EDHE: Zjarret shkatërrojnë mijëra hektarë pyjeArsovski thekson se në 90 për qind të rasteve është faktori njeri ai që shkakton shpërthimin e zjarreve. Ai thotë se autoritetet shumë pak arrijnë të nxjerrin para drejtësisë aktorët, apo më e keqja porositësit e këtyre zjarreve, që si prapavijë kanë përfitimet nga mbledhja e drunjve të djegur, që më pas shiten në treg si lëndë djegëse.
“Me qëllim që të shfrytëzohen zbrazëtirat ligjore, pasi pyjet e djegura në bazë të ligjit lejohet të priten, përkatësisht trungjet e mbetura mund të shfrytëzohen si lëndë djegëse, shumë zjarre janë të qëllimshme”, thotë biologu Kirill Arsovski.
Ai nënvizon se për këtë arsye disa herë është iniciuar ndryshimi i ligjit, përkatësisht dispozitës që ka të bëjë me menaxhimin e pyjeve, porsa ka rezultuar pa sukses.
SHIKONI EDHE: Pandemia rralloi rastet e zjarreve në Maqedoninë e V.Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit kanë ndezur alarmin pasi procesi i ngathët i regjenerimit të pyjeve të djegura, në masë të theksuar ndikon në prishjen e biodiversitetit.
“Reagimi ndaj shkatërrimit të pyjeve është i pamjaftueshëm. Mendoj se kjo vjen si rezultat i mospasjes së informacioneve të mjaftueshme mbi dëmet që shkakton shpyllëzimi, duke përfshirë ndikimin e madh në krizën klimatike, ngritjen e temperaturave, por edhe në rolin që shpyllëzimi ka në rrëshqitjet e dheut, si dhe vërshimet që ndodhin pas reshjeve të vrullshme që mund të ndodhin herë pas here në vendin tonë” , thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi, nga organizata joqeveritare që në fokus ka mbrojtjen e ambientit jetësor, Eco Guerila.
SHIKONI EDHE: Degradim i pyjeve në MaqedoniRigjenerimi i pyjeve, proces disa dekadash
Rajoni i Berovës mbetet pjesa më kritike e hapësirave të djegura pasi gjatë vitit të kaluar zjarret gëlltitën një pjesë prej mbi 50 hektarësh me drunj gjethembajtës.
Kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Peqevski, thotë se pjesa më e madhe e hapësirave të djegura ishin në pronësi të shtetit, kështu që dhe procedura për rigjenerim të pyjeve është më e komplikuar.
“Komisioni komunal doli në teren, konstatoi vlerën e dëmeve dhe me konstatimet, ky dokumentacion iu dërgua Qeverisë”, thotë Peqevski, duke nënvizuar se shpreson që institucionet përkatëse së shpejti do të reagojnë.
SHIKONI EDHE: Dekada për t’i rikuperuar dëmet nga zjarretAmbientalistët thonë se problem më vete paraqet fakti që pas procesit të shpronësimit, ka shumë paqartësi se cilat sipërfaqe janë shtetërore dhe cilat nga to janë pronë private.
“Disa familje kanë prona nëpër pyje dhe shumë pak qytetarë, përfshirë dhe autoritetet, e dinë saktë se çfarë është pronë private e çfarë publike, dhe në një fare mënyrë i japin të drejtën e prerjes tjetrit, pa marrë parasysh kriteret e prerjes, si dhe nevojën për zëvendësimin gjegjësisht mbjelljen e menjëhershme të drunjve të tjerë”, thotë Xhaferi.
Ai shton se nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse, nga qytetarët e deri tek institucionet më të larta të shtetit, për gjelbërimin e hapësirave të djegura.
Nga ndërmarrja "Pyjet Nacionale" të Maqedonisë së Veriut thonë se për të filluar faza e parë e procesit të rigjenerimit të hapësirave të djegura pyjore, që nënkupton pastrimin e këtyre hapësirave, nevojiten të paktën dy vjet.
Pasi fillimisht konstatohet dëmi material, pason procesi i pastrimit nga mbetjet e djegura të hapësirave pyjore të kapluara nga zjarri, dhe më pas fillon procesi i përgatitjes për rigjenerimin e pyjeve në formë natyrale, pra vetë mbirjes së fidanëve apo pyllëzimit të planifikuar që nënkupton mbjelljen e fidanëve të rinj.
Your browser doesn’t support HTML5
Nga ndërmarrja "Pyjet Nacionale" të Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se më problematik mbetet procesi i regjenerimit që zgjat shumë.
Sipas tyre, nga djegia e pyllit, pastrimi, përgatitja e deri te mbjellja e fidanëve të rinj nevojiten shtatë vjet.