Të martën dita vendimtare për emrin, Zaev optimist

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras kanë zhvilluar bisedën e shumëpritur telefonike lidhur me marrëveshjen e mundshme mes dy shteteve për zgjidhjen e kontestit të emrit. Biseda telefonike, siç ka bërë të ditur Qeveria në Shkup, ka zgjedhur rreth një orë dhe ka kaluar në atmosferë të mirë.

“Gjatë bisedës janë diskutuar çështjet e mbetura ndërsa janë shqyrtuar edhe ide tjera për zgjidhje. Gjatë ditës së martë do të zhvillohet edhe një tjetër bisedë telefonike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Maqedonisë pa dhënë detaje se cilat janë çështjet tjera për të cilat do të diskutohet.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, të hënën në mbrëmje në një intervistë për mediat në Shkup ka thënë se dy palët janë të vendosura për marrëveshje dhe se dita e martë do të jetë vendimtare nëse do të arrihet një gjë e tillë.

“Dëshira për marrëveshje është e pranishme te të dyja palët. Nëse kemi marrëveshje, do të merremi vesh se si këtë ta shpallim. Me siguri se këtë do ta bëjmë paralelisht. Do të doja që te ne këtë kjo të bëhet bashkërisht nga të gjatë aktorët politikë, të jemi të bashkuar, edhe pushteti edhe opozita, edhe partitë e mëdha edhe partitë e vogla.... Do të ishte e bukur që për çështje të këtilla të gjithë të jemi së bashku. Pres hap pozitiv nga opozita, por edhe nga kreu i shtetit. Besoj se opozita do t’i jep mbështetje marrëveshjes”, ka deklaruar kryeministri Zaev duke thënë se qytetarët në mënyrë të detajuar do të jenë të njoftuar me gjithë procesin, përmbajtjen, por edhe hapat e mëtejmë deri në realizimin e marrëveshjes së mundshme.

Kryeministri Zaev nuk ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve e as për çështjet për të cilat po bisedohet, por ka shprehur bindjes se marrëveshja forcon identitetin maqedon. Ai po ashtu ka përsëritur se zgjidhja nuk do të jetë e vlefshme pa kaluar edhe në referendum.

“Me shpalljen e marrëveshjes së mundshme, qytetarët do t’i kenë të gjitha informacionet dhe do të dinë se si të vendosin edhe përkundër rezervave lidhur me kushtin ‘erga omnes’. Ata do të jenë të njoftuar me të gjitha detajet dhe se marrëveshje është fer dhe forcon identitetin dhe dinjitetin tonë. Ne duhet të shikojmë para, me sy të pastër për dhe zgjidhje korrekte. Nëse të gjithë jemi për NATO dhe BE, atëherë secili në mënyrë të përgjegjshme duhet të veprojë në bazë të pozitave që ka. Duhet të mënyrë të ndershme t’i themi qëndrimet tona. Por, pas kësaj pason referendumi. Pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, Greqi do të dërgojë letër në NATO dhe BE, pas çka pason referendumi”, ka deklaruar Zaev.

Si zgjidhje e mundshme për emrin përflitet “Maqedonia e Veriut”, por paqartësitë mbeten lidhur me gjuhën dhe identitetin. Pala greke deri tani ka insistuar që edhe gjuha të ndryshojë apo të jetë në përputhje me emrin e ri, apo gjuhë që do të identifikonte atë me prejardhje sllave të maqedonasve të tanishëm. Edhe për çështjen e identitetit grek insistojnë që maqedonasit e tanishëm të mos kenë lidhshmëri historike me maqedonasit antikë. Pala maqedonase ka insistuar që të ruhet identiteti i tanishëm, si për gjuhën ashtu edhe identitetin.

Me marrëveshjen e mundshme, dy shtetet do të zgjidhin kontestin tani më 26 vjeçar që ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE për shkak të vetos greke.