Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Paris

Xhudistja Distria Krasniqi gjatë ceremonisë të ndarjes së medaljeve olimpike. Paris, 28 korrik 2024.

Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris të Francës.

Ajo në finale, në kategorinë deri në 52 kilogramë, u mposht nga uzbekja, Diyora Keldiyorova, e cila fitoi me wazari.

Distria Krasniqi së bashku me Diyora Keldiyorova që fitoi medaljen e artë dhe Amandine Buchard e Larissa Pimenta, që morën medaljen e bronztë.

Pas ndeshjes, Distria Krasniqi tha se është shumë e lumtur që fitoi medalje olimpike.

"Medaljen ia dedikoj trajnerit [Driton Kuka], klubit, familjes dhe normalisht, të gjithë Kosovës", tha ajo.

Kjo është medalja e dytë olimpike për xhudisten kosovare, pasi në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Tokio më 2021, Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë.

E argjenda e Krasniqit është medalja e parë për Kosovën në Lojërat Olimpike të Parisit, dhe medalja e katërt olimpike në përgjithësi.

Në gjysmëfinale ajo mposhti italianen, Odette Giuffrida. Për dallim nga luftërat e kaluara, që i fitoi me Ippon, Krasniqi e siguroi finalen pasi xhudistja italiane mori tri dënime.

Xhudistja Distria Krasniqi duke u përqafuar me trajnerin e saj, Driton Kuka, pas fitores në gjysmëfinale në Olimpiadën e Parisit.

Ndërkaq, rrethin e parë ajo e kaloi pa luftë. Në të dytin, ajo mposhti me Ippon Maryam March Maharani nga Indonezia. Në çerekfinale ajo mposhti xhudisten nga Izraeli Gefen Primo, po ashtu me Ippon.

Në Olimpiadën e Parisit, Kosova po merr pjesë me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i gëzohet fitores së Distria Krasniqit në gjysmëfinale. Osmani, por edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë përcjellë nga afër të gjitha ndeshjet e xhudistes Krasniqi.

Boksierja Donjeta Krasniqi më 27 korrik shënoi fitoren e parë në kategorinë -60 kilogramë, duke kaluar në rrethin e dytë të garave. Meçin e radhës ajo do ta zhvillojë më 29 korrik ndaj kolumbianes, Angie Valdes.

SHIKONI EDHE:

Xhudistja Distria Krasniqi fiton medalje të artë olimpike Viti i artë i Norës dhe Distrisë

Deri më tani, Kosova ka fituar tri medalje të arta dhe të gjitha në sportin e xhudos. Majlinda Kelmendi ia siguroi Kosovës medaljen e parë të artë olimpike në Rio 2016. Në Olimpiadën e Tokios, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i siguruan Kosovës edhe dy medalje të arta.

Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024 nisën më 26 korrik dhe do të zgjasin deri më 11 gusht. Në këto lojëra marrin pjesë rreth 7.000 sportistë.