Ka ardhur koha t'i përveshim mëngët, t’i japim fund krimit dhe të punojmë për të mirën e qytetarëve, ka deklaruar të shtunën mandatari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Hristijan Mickoski është kryetar i VMRO DPMNE-së, e cila fitoi zgjedhjet e rregullta parlamentare që u mbajtën më 8 maj.
Qeveria e re do t’i ketë 24 ministri, apo katër më shumë sesa përbërja e deritashme, ndërsa pjesë e saj, përveç VMRO DPMNE-së, do të jetë koalicioni VLEN, që e përbëjnë katër parti shqiptare dhe partia ZNAM, të cilën e përbëjnë ish-anëtar të Lidhjes Socialdemokrate (LSDM).
Këto parti kanë një shumicë parlamentare prej 78 deputetëve nga 120, sa numëron gjithsej Kuvendi.
Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, ndërsa sipas rregullores së Kuvendit, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.
SHIKONI EDHE: BE-ja pret që Qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuarSundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i vendit, do të jenë prioritetet kryesore të punës së Qeverisë, sipas Mickoskit.
“Është koha t’i përveshim mëngët dhe t’i zgjidhim problemet. Bëj thirrje për unitet dhe punë të përbashkët - për një Maqedoni të re, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për një jetë më të mirë për të gjithë ne. Është koha të ngrihemi në këmbë, të përdorim njohuritë tona, energjinë tonë dhe dëshirën tonë për të ndryshuar”, ka deklaruar Mickoski, duke iu referuar Maqedonisë së Veriut, emrit zyrtar të shtetit.
Sipas Mickoskit, “tani është koha që Maqedonia të bëjë më shumë për çdo qytetar, çdo maqedonas, shqiptar, turk, serb, rom, boshnjak, dhe të gjithë të tjerëve që investuan gjithçka për atdheun e tyre marrin shpërblim nga shteti”.
"Sot është një ditë historike. Do t'i japim fund periudhës së mospunës, krimit, vlerave të këqija dhe zhgënjimeve. Me zgjedhjen e Qeverisë së re reformuese, më në fund nis një kapitull i ri për vendin tonë. Maqedonia është shtëpia jonë”, është shprehur Mickoski duke shmangur përdorimin e emrit të shtetit.
Programi i punës së Qeverisë ka për bazë platformën zgjedhore të VMRO DPMNE-së prej 1198 projekteve që përfshijnë sferën ekonomike, shëndetësore, arsimore, sociale, investimet strategjike, projekte komunale dhe ato që kanë të bëjnë me integrimin.
Edhe partitë shqiptare të koalicionit VLEN, që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, janë zotuar se do të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ishte në pushtet që nga viti 2002.
Izet Mexheti, i cili në Qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se “puna dhe jo demagogjia” do të jenë parimet mbi të cilat do të angazhohen ministrat shqiptarë në Qeveri.
“Koha e demagogjisë ka kaluar. Sot kërkohen njerëz të arsimuar, me përvojë dhe të guximshëm, që të jenë bartës të proceseve komplekse reformuese për ta bërë vendin tonë një vend normal, të zhvilluar ekonomikisht dhe të gatshëm për integrim në Bashkimin Evropian. Ne do të fokusohemi te puna, respekti për institucionet, përgjegjësia për detyrën e ndërmarrë, përmbushja e detyrimeve në kohë dhe me sukses. Atë mund ta bëjë vetëm brezi i ri që çlirohet nga barra e të vjetrës, nga hipotekat e së shkuarës, nga folklori plot fjalë e pak mund”, ka thënë Mexhiti.
Ai ka theksuar se koalicioni VLEN është fituesi legjitim i zgjedhjeve dhe ka hedhur poshtë akuzat e BDI-së për mos respektim të votës shqiptare.
Si zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e ardhshme, Mexhiti tha se ndryshe nga paraardhësi i tij Artan Grubi, “nuk do të luajë futboll me ministrat në kabinet, nuk do të dalë me valixhe para institucioneve publike dhe nuk do të merrem me bizneset e lotarisë dhe kazinove”.
LSDM: Mickoski devijon nga premtimet parazgjedhore
Pas fjalimit të Mickoskit, foli koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.
Ai u shpreh skeptik nëse Micksoski do të realizojë gjithë atë çfarë ka premtuar në programin e punës.
“Është fakt që shumë nga premtimet që u janë bërë qytetarëve, ato që janë të hapura dhe ju në mënyrë manipulative keni arritur të merrni mbështetjen e qytetarëve, nuk janë në programin e punës së Qeverisë. Prioriteti i parë themelor - procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një koncept krejtësisht i ndryshëm nga koha kur ju ishit në opozitë. Tani i referoheni respektimit të Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes me Bullgarinë dhe Kornizës se bisedimeve. Prisja se do të kishim hapa më konkretë për këto çështje. Nga programi i Qeverisë shoh se nuk ka hapa konkretë, përveç deklarimeve”, tha Spasovski.
SHIKONI EDHE: Tensione mes Shkupit dhe Athinës edhe gjashtë vjet pas Marrëveshjes së Prespës
Sa u përket projekteve nga programi qeveritar, Spasovski theksoi se nuk ka afate konkrete dhe strukturë financiare për to, përkatësisht se si do të realizohen.
“Shumë nga çështjet e diskutuara në program, si zhvillime të mëdha në të ardhmen, janë gjëra që ekzistojnë dhe funksionojnë. Të gjitha gjërat kyçe – arsimi, shëndetësia, të cilat janë me interes serioz për qytetarët, mendoj se duhet të prezantohen më në detaje dhe jo vetëm me deklarata se do të bëhen reforma reale. Gjithçka që është paraqitur si propozim, është larg premtimeve dhe pritshmërive që ju u keni dhënë qytetarëve gjatë fushatës parazgjedhore", tha Spasovski.
Ndarja e ministrive në Qeverinë e re
VMRO DPMNE-ja, dhe partnerët e saj të koalicionit “Maqedonia Ime”, do të kenë numrin më të madh të ministrive, gjithsej 16.
Ministër i Punëve të Brendshme është propozuar, Pançe Toshkoski ndërsa i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë pritet të drejtohet nga Timço Mucunski, ndërsa Ministria e Transportit nga Aleksandar Nikollovski, i cili është propozuar edhe për zëvendëskryeministër.
SHIKONI EDHE: Shkup: Riorganizimi i ministrive, në përmbajtje e jo vetëm në emraMinistrinë e Financave do ta udhëheqë Gordana Dimitrieska-Koçoska, ndërsa të Energjetikës, Sanja Bozhinovska, dhe të Arsimit, Vesna Janevska.
Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike Serbe do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive Etnike.
Caktimi i Stoilkoviqit për ministër ka nxitur reagime të shumta pasi Stoilkoviq konsiderohet i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodikun, si dhe kultivon marrëdhënie të mira me Rusinë.
Forca e partive shqiptare në Qeverinë e re
Koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti shqiptare, në Qeverinë e re do të drejtojë gjashtë ministri.
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë pritet të jetë Izet Mexhiti.
Besar Durmishi do të drejtojë Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, ndërsa Fatmir Limani, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës.
Arben Taravari është propozuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai për zëvendëskryeministër.
Orhan Murtezani pritet të drejtojë Ministrinë e re për Eurointegrime.
SHIKONI EDHE: Ndryshimet kushtetuese, "nyje" në bisedimet mes VMRO-së dhe VLEN-itPjesëmarrja e koalicionit VLEN në Qeveri, për Bashkimin Demokratik për Integrim është jolegjitime, pasi BDI-ja, e cila drejton Frontin Evropian, thotë se opozita e deritanishme shqiptare ka humbur zgjedhjet më 8 maj, andaj edhe nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët.
BDI-ja pretendon se VLEN-i i ka “dëmtuar interesat shqiptare” duke pranuar rolin e “vasalit” në Qeverinë e Mickoskit.
Por, nga koalicioni VLEN thonë se BDI-ja në zgjedhje ka marrë vota nga të gjitha bashkësitë etnike me të cilat ishte në koalicion, andaj edhe nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare.
BDI-ja ishte pjesë e Qeverive të Maqedonisë së Veriut, qoftë me VMRO DPMNE-në apo LSDM-në, që nga viti 2002.