Disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur të premten në veri të Malit të Zi, pasi dy lumenj dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në dy ditët e fundit.
Kryetari i komunës së Shavnikut, Jugosllav Jakiq, tha se dy lumenj dolën nga shtrati në pjesën e Parkut Natyror Komarnica, në veri të vendit.
Ai shpërndau në rrjetet sociale pamje që shfaqin lumenjtë e fryrë dhe shtëpitë e përmbytura përreth.
Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi në disa fshatra të kësaj komune u ndërpre.
Reshjet e mëdha të shiut e kanë rritur nivelin e lumenjve edhe në pjesën qendrore të vendit.
Nuk është raportuar për viktima.
Niveli i lumit Moraça në Podgoricë është rritur për 7.5 metra, ndërsa ai i lumit Zeta në Danilovgrad për 5.5 metra, tha për Radion Evropa e Lirë Instituti Hidrometeorologjik i Malit të Zi.
Për shkak të reshjeve të dendura është ndërprerë qarkullimi mbi dy ura dhe në një rrugë në Danilovgrad, rreth 20 kilometra larg Podgoricës.
Në brigjet e Moraçës dhe Ribnicës në Podgoricë janë përmbytur lokalet e plazhit përgjatë këtyre dy lumenjve.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan telashe në qarkullim, ndërsa erërat e forta shkulën pemët.
Instituti malazez e ka lëshuar më herët alarmin e kuq të motit më 3 tetor, duke paralajmëruar kushte reshje të mëdha shiu.
Më pas Ministria e Brendshme e Malit të Zi rekomandoi që qytetarët të përgatiten për fatkeqësi dhe të sigurojnë pronën e tyre, veçanërisht nëse jetojnë në zona e rrezikuara nga përmbytjet, apo erërave të forta.
Ata u bënë thirrje qytetarëve t’i shmangin udhëtimet nëse nuk është e nevojshme, veçanërisht në zonat malore dhe zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut.