"Situatë e qetë" në manastirin e Banjskës

Manastiri i Deçanit. Qershor 2022.

Dioqeza e Rashkës-Prizrenit tha se situata në manastirin e Banjskës aktualisht është e qetë dhe se “personat e armatosur që kanë depërtuar sot portën, janë larguar nga manastiri”.

“Aktualisht, prania e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it vërehet para portës hyrëse dhe në oborrin e manastirit”, thuhet në njoftimin e Dioqezës.

Më herët, Dioqeza e Rashkës - Prizrenit e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku ka mbetur i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës, dhe ka theksuar se kjo ngjarje mund të ketë “pasoja të mëdha” andaj është e rëndësishme të ruhet paqja.

Dioqeza ka thënë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastirin (Banjska) me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.

“Persona të armatosur, të maskuar, po lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna. Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që sa më parë t’i japin fund konfliktit”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se kush janë këta persona të armatosur.

Në fillim të korrikut, deputetja britanike Alicia Kearns pati thënë se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, pati thënë atë periudhë se nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes britanike, ndërkaq autoritetet e Kosovës i patën nisur hetimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë në konferencë për media se në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar akoma.

"Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Ai ka thënë se formacioni me këta persona “profesionistë” është në dhe rrotull Manastirit në Banjskë.

Teksa i ka shfaqur disa fotografi në ekran, Kurti ka thënë se banorët lokalë serbë "nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës".

Informacionet e fundit për zhvillimet në veri, pas vrasjes së zyrtarit policor, i gjeni këtu.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.