Dioqeza e Rashkës-Prizrenit tha se autoritetet e sigurisë kanë gjetur në oborrin e manastirit në Banjskë armë zjarri dhe pajisje të tjera ushtarake “që ishin hedhur nga personat gjatë largimit nga manastiri”.
Kjo dioqezë tha se gjatë 25 shtatorit, Policia e Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), kryen hetime në manastirin e Banjskës në Zveçan.
Më herët gjatë 25 shtatorit, dioqeza kishte publikuar një deklaratë – që më pas e fshiu – ku thuhej se në manastir nuk ishin gjetur armë.
“Megjithatë, në dy vende në oborrin e manastirit, armë të zjarrit, pancir dhe pajisje të tjera u gjetën, të cilat u hodhën nga personat teksa po largoheshin nga manastiri. Po ashtu, në manastir [policia dhe EULEX-i] nuk gjetën asnjë gjurmë gjaku dhe në asnjë moment nuk ka pasur viktima brenda mureve të manastirit. Ekipet e forenzikës kanë marrë shenjat e gishtërinjve dhe kanë biseduar me pelegrinët, të cilët më pas të shoqëruar nga policia dhe EULEX-i udhëtuan për në shtëpitë e tyre përmes pikëkalimit [kufitar mes Kosovës dhe Serbisë] të Jarinjës”, u tha në reagimin e dioqezës.
Ndërkaq, në një postim në X – që më herët njihej si Twitter – dioqeza tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë konfirmuar se Policia e Kosovës gjatë kontrolleve të kryera të dielën “ka gjetur armë vetëm në makinat e braktisura të sulmuesve të armatosur në afërsi të manastirit”.
Dioqeza e Rashkës-Prizrenit përsëriti se priftërinjtë dhe pelegrinët në manastir “nuk kanë marrë pjesë në incidentet tragjike”.
Autoritetet e rendit më herët gjatë ditës kanë ekspozuar armatime që thanë se kanë gjetur në Banjskë. Policia tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë në gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.
Manastiri ishte përdorur nga një grup i armatosur që u përlesh me Policinë e Kosovës më 24 shtator. Afrim Bunjaku, rreshter policor mbeti i vdekur, ndërkaq u plagosën edhe disa zyrtarë të tjerë policorë.
Zyrtarët e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur se tre sulmues të dyshuar janë vrarë dhe gjashtë persona të tjerë janë arrestuar.
*Video: Çfarë ndodhi në Banjskë?
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.