'Asgjë s'ka mbetur': Zjarri shkrumbon vendbanimin e romëve në Beograd

Pamje e dëmeve të shkaktuara nga zjarri në vendbanimin rom "Antena", në komunën e Beogradit të Ri, 5 gusht 2024.

"Unë nuk kam asgjë më, fëmijët e mi janë të zhveshur dhe të zbathur", tha për Radion Evropa e Lirë Veska, një nënë vetushqyese e dy fëmijëve.

Pas zjarrit në vendbanimin e paligjshëm të romëve, “Antena”, në Beograd, Veska i ka kaluar dy net në rrugë.

Shtëpia e Veskas dhe gjashtë të tjera u dogjën natën e 4 gushtit.

Shtatë shtëpi u shkatërruan plotësisht nga zjarri.

Nga zjarri që bëri shkrumb këto shtatë shtëpi, nuk ka pasur të lënduar. Por, rreth dyzet persona tashmë kanë mbetur të pastrehë.

Shumica prej tyre janë fëmijë.

Një karrocë për fëmijë e dëmtuar në vendin ku ra zjarri, në vendbanimin “Antena”.

Një pjesë e parkingut dhe livadhi mes ndërtesave në Beogradin e Ri, pranë vendbanimit “Antena”, është bërë strehë e përkohshme për ta.

Batanijet dhe qilimat që u kanë sjellë fqinjët, janë krejt çka ata kanë tash për tash.

“Të gjithë flemë kështu, natën e kalojmë në parking. Ndoshta do të më duhet ta bëj të njëjtën gjë edhe sonte”, shton Veska.

Nga rreth 40 personat që tashmë kanë mbetur pa kulm mbi kokë, shumica prej tyre janë fëmijë.

Ky zjarr vetëm sa ua shtoi vuajtjet banorëve të “Antenës”, të cilët jetojnë në varfëri të skajshme – pa energji elektrike dhe pa ujë, në kasolle që i ndërtuan qysh mundën.

Për të përfituar ndihmë sociale, për shumë prej tyre është pengesë fakti që nuk kanë dokumente personale.

Sipas të dhënave të paraqitura nga kryetari i Komunës së Beogradit, Aleksandar Shapiq, në vitin 2023, në kryeqytetin serb janë 165 vendbanime të paligjshme ku jetojnë rreth 30.000 banorë.

Ndërsa, në gjithë Serbinë, sipas Nismës joqeveritare për çështje ekonomike dhe sociale A11, ka rreth 750 vendbanime të tilla.

Dëmet e shkaktuara nga zjarri në vendbanimin “Antena”.

"Krejt çka patëm u dogj"

Nga shtëpia e Nada Jovanoviqit (63 vjeç) mbetën vetëm tullat.

"Nuk ka mbetur asgjë. Kështu si më shihni mua - kjo është gjithçka që kam. Gjithçka që patëm u dogj", tha Nada për Radion Evropa e Lirë.

Zona e djegur e ish-shtëpisë së saj është e ndarë me një shirit të vendosur nga policia ku paralajmërohet se qasja në vendin e zjarrit aktualisht është e ndaluar, për shkaqe sigurie.

Policia ka rrethuar zonën e djegur për shkaqe sigurie.

Zjarri, rikujton Nada, përpiu gjithçka që kishte me shpejtësi rrufeje.

"Erdhi një fqinj dhe bërtiti: 'Dil Nado, po digjet flakë'... Ne dolëm të gjithë. Shtëpia ime u përfshi nga flakët e një shtëpie tjetër", tregon ajo.

"Dy dhoma, kuzhinë, verandë, mobilie, frigorifer, lavatriçe, shporet. Kisha gjithçka që më duhej dhe tani befas nuk kam asgjë", numëron dëmet ajo.

Nada Jovanoviq ka arritur të dalë nga shtëpia që u përfshi nga zjarri vetëm me rrobat e trupit.

"Nuk pamë asgjë nga tymi"

Siç thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, 37 zjarrfikës me 14 automjete e kanë shuar zjarrin gjatë natës së 4 gushtit.

Banorët e këtij vendbanimi u evakuuan.

Shkaktari i zjarrit dhe shkalla e dëmeve ende janë duke u vlerësuar, njoftoi Prokuroria e Tretë Themelore Publike.

Mëngjesin e nesërm, më 5 gusht, policia dhe autoritetet e pushtetit lokal ishin në terren. Ekipet ende ishin duke vazhduar operacionin ndërsa tymi dilte nga shtëpitë që vazhdonin të digjeshin dhe dëmet që po shtoheshin.

"Të gjithë janë gjallë dhe shëndoshë", thotë Arseni dhe prek drurin si shenjë falënderimi. "Nëse nuk do të kishte zjarrfikës, pyesni Zotin se çfarë do të kishte ndodhur", përshkruan ai.

Edhe pse është larguar nga “Antena”, ai vjen rregullisht në vendbanim për të vizituar vëllezërit, motrën dhe nënën e tij, e cila vuan nga diabeti.

Sapo dëgjoi për zjarrin, ai thotë se vrapoi i shqetësuar.

"Të gjithë vrapuam, por nuk arritëm ta shuanim. Ishte një flakë e fortë. Nga tymi nuk pamë asgjë. Këtu nuk ka as ujë", shton Arseni.

Shtatë shtëpi janë djegur plotësisht në vendbanimin “Antena”.

"Gjithmonë vetëm premtime, pa ndihmë"

Vendbanimi "Antena" është shtëpi e disa dhjetëra familjeve rome, kryesisht të zhvendosura nga Kosova, pas luftës së vitit 1999.

Sipas të dhënave zyrtare, në Serbi janë rreth 195.000 persona të zhvendosur nga Kosova, prej të cilëve 68.500 janë ende të cenueshëm dhe kanë nevoja që kanë të bëjnë me sigurimin e strehimit.

Veska (në sfond të fotos), shihet pranë shtëpisë së djegur, 5 gusht 2024.

Në mesin e tyre, siç theksohet në raportin vjetor të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë për vitin 2023, romët janë kategoria më e cenueshme dhe më e margjinalizuar.

Në atë raport, Brukseli i kërkoi Serbisë që t'u mundësojë romëve të zhvendosur që jetojnë në vendbanime të paligjshme, të kenë vendbanim të regjistruar dhe qasje në të drejtat themelore sociale dhe ekonomike.

Gjësende të djegura nga zjarri që shkatërroi shtëpitë në vendbanimin "Antena".

Arseni, si fëmijë ishte zhvendosur nga Kosova në vendbanimin “Antena”.

Sot ai është 37 vjeç dhe me gruan dhe tre fëmijët u largua nga vendbanimi në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Ai jeton në Surçin dhe punon si piktor.

Ai tregon se nuk ka marrë ende ndihmën e premtuar prej kohësh për banorët e “Antenës”.

"Askush nuk erdhi të na thotë - ju siguruam strehim. Gjithmonë vetëm disa histori. Por, që nga viti 1999, nuk ka pasur asgjë", thekson ai.

Dhjetëra familje rome jetojnë në vendbanimin “Antena” - shumë prej tyre të shpërngulura nga Kosova pas luftës së vitit 1999. Shtatë shtëpi u dogjën nga një zjarr, dhe rreth 40 njerëz tani janë të pastrehë, shumica fëmijë, 5 gusht 2024.

Dëshira ime, shton Arseni, është që familja dhe fqinjët të kenë kushte elementare të jetesës.

"Kontejnerë, kontejnerë, sa për të ikur nga këtu. Të kemi rrymë dhe ujë, kushte higjienike. Nuk jetohet kështu", thekson ai.

Mbetje mobiliesh në vendin e zjarrit, 5 gusht 2024.

Një ditë pas zjarrit, ekipet e shërbimeve ishin ende në terren.

“Kam qarë kur e kam parë këtë. Mezi ke kursyer për të bërë diçka për fëmijët e tu dhe tani të flesh në rrugë. Unë kam sjellë rroba nga shtëpia për fëmijët e fqinjit”, përshkruan Arseni.

Mbetjet e shtëpisë së Veskës ku ajo jetonte si nënë vetëushqyese me dy fëmijë, 5 gusht 2024.

Veska thekson se ndihma e premtuar nga autoritetet tash e sa vjet, nuk u ka arritur ende dhe tani kanë marrë garanci se do të pajisen me kontejnerë për strehim të përkohshëm.

"Të gjithë premtuan. Ata premtuan kontejnerë. Por, nuk dihet saktësisht se kur do t'i kemi", shton Veska.

Ajo tregon se ndihma e parë natën që ra zjarri, u ka ardhur nga fqinjët e ndërtesave aty pranë – të cilët janë solidarizuar.

"Ata sollën ushqime, shtroja, rroba, pelena për fëmijë, rroba. Çfarëdo që kishin", shprehet ajo.

Ushqime për të prekurit nga zjarri që ua dogji shtëpitë. Banorët thonë se në fillim u kanë ardhur në ndihmë banorët e ndërtesave fqinje me ushqime e veshmbathje.

Rinovimi i shtëpisë, tregon Veska, është i pamundur për familjen e saj.

Ajo është 27 vjeçe dhe e papunë.

"Nuk punoj askund, jetoj me ndihma sociale. Kam shtatë vjet që jam regjistruar këtu, mbledh shishe dhe kartona dhe kështu mbijetoj", shton ajo.

Një xhezve shihet në rrënojat e një shtëpie të djegur.

Nada Jovanoviq shprehet veçanërisht mirënjohëse ndaj miqve të saj që i erdhën të parët në ndihmë.

"Si do të vazhdoj, nuk e di", thotë Nada.

Ajo tregon se shërbimi social i qytetit ka ardhur për të biseduar me të dhe shpreson të kompensohet.

“Kanë ardhur, kam dhënë deklaratë, më kanë marrë të dhëna”, thotë Nada.

Një shirit policie në vendin ku ndodhi zjarri.

Si të zgjidhet problemi i banorëve të “Antenës”?

Radio Evropa e Lirë pyeti autoritetet lokale, qytetin e Beogradit dhe Komunën e Beogradit të Ri, se kur dhe si do të zgjidhet problemi i romëve më të rrezikuar pas zjarrit në lagjen “Antena”, por nuk mori përgjigje.

Aktualisht, nevojë urgjente është dorëzimi i pakove ushqimore dhe produkteve higjienike, thekson Naxha Markoviq nga Iniciativa joqeveritare për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale (A11).

Të nesërmen në vendin e ngjarjes u panë banorë dhe pjesëtarë të policisë.

Nisma A11 u angazhua për të inicuar pagesën e menjëhershme të ndihmës financiare për familjet në nevojë pranë shërbimeve sociale kompetente në qytet.

Por, që në hapin e parë, u shfaq një problem.

Tri familje, të cilave u janë djegur shtëpitë, kanë të regjistruara vendbanime në Kosovë, pasi janë persona të zhvendosur.

“Kjo ua bën të pamundur paraqitjen e kërkesave për ndihmë financiare në Qendrën për punë sociale në Beogradin e Ri”, shpjegon Markoviq.

Mbetjet e mobilieve dhe rroba të djegura në vendbanimin "Antena", 5 gusht 2024.

Ky shembull, thotë ajo, ilustron problemin e banorëve të vendbanimeve të paligjshme me dokumente personale - shumë prej tyre nuk arrijnë të regjistrojnë vendbanimin e tyre në ndërtesat ku jetojnë.

“Nëse nuk i keni të rregullta dokumentet dhe adresat, letërnjoftimet, atëherë nuk mund të keni qasje në shërbime sociale, kujdes shëndetësor, apo ndonjë sistem tjetër”, numëron Markoviq.

Tymi në vendin e ngjarjes u pa edhe të nesërmen, më 5 gusht.

Kushtet e jetesës në vendbanimet e paligjshme, siç e përshkruan ajo, janë të rrezikshme dhe të këqija, dhe është përgjegjësi e qytetit të sigurojë strehim alternativ të përhershëm.

Mirëpo, ajo thekson se me vite të tëra nuk ka tenderë për ndarjen e banesave sociale në Beograd, edhe pse janë shpallur.

Në vendbanimin “Antena”, banorët jetojnë prej vitesh pa ujë të pijshëm dhe pa energji elektrike në shtëpitë e tyre, 5 gusht 2024.

Nisma joqeveritare, A11, rikujton gjithashtu se në fund të muajit mars të vitit 2023 u parandalua dëbimi me forcë i banorëve të këtij vendbanimi.

Më pas, inspeksioni komunal ka dërguar vendime për rrënimin e dy shtëpive, të cilat janë trajtuar si mbeturina komunale.

Një mace kalon nëpër rrënojat e shtëpive.

Nisma A11 tha se zgjidhja nuk është në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare që garantojnë sigurinë e të drejtave të banorëve edhe në ndërtesat që nuk i plotësojnë kushtet apo ato që janë të ndërtuara pa lejet e nevojshme.

Nga kjo nismë theksuan se banorët e “Antenës”, për shkak të varfërisë së skajshme, nuk kanë mundësi të realizojnë të drejtën e tyre për banim me kushte të përshtatshme dhe se rrënimi i shtëpive do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut.

Më pas ndërhyri Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendosi të ndalojë rrënimin e këtyre shtëpive.

Karrigia që “i mbijetoi” zjarrit në vendbanimin “Antena”, 5 gusht 2024.

Një e pesta e romëve në vendbanimet e paligjshme s'kanë qasje në ujë të pijshëm

Sipas regjistrimit të fundit nga viti 2022, në Serbi jetojnë rreth 130.000 romë.

Organizatat joqeveritare, megjithatë, vlerësojnë se janë dukshëm më shumë - rreth gjysmë milioni.

Integrimi i romëve në Serbi monitorohet rregullisht nga Bashkimi Evropian.

Pamje e dëmeve nga zjarri.

Në raportin e progresit për vitin 2023, Komisioni Evropian thekson se legalizimi i vendbanimeve rome duhet të trajtohet si prioritet dhe se Ligji për strehimin dhe standardet ndërkombëtare duhet të zbatohen në mënyrë efektive - veçanërisht dispozitat që përshkruajnë mbështetjen e strehimit dhe zhvendosjen e vendbanimeve të paligjshme.

Sipas të dhënave nga raporti, pothuajse një e pesta e popullsisë së vendbanimeve rome nuk ka fare qasje në ujë të pijshëm ose ka qasje të parregullt.

Shkalla e dëmeve nga zjarri në vendbanimin “Antena”, 5 gusht 2024.

Më shumë se gjysma e tyre janë pa infrastrukturë të ujërave të zeza dhe shumë të tjerë janë pa energji elektrike.

Me iniciativën e BE-së, Serbia, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, u angazhua për të forcuar përpjekjet për arritjen e barazisë dhe integrimit të plotë të romëve duke nënshkruar Deklaratën e Poznanit në vitin 2019.

(Përgatiti: Syzanë Paçarizi)