Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të 6 nëntorit, është djegur një objekt i një zyrtari policor serb në Leposaviq.
Sipas Policisë, rasti është duke u hetuar, ashtu sikurse rastet tjera të zjarrvënieve, që janë orientuar në javët e fundit ndaj pronave private.
Ky lajm vjen një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.
SHIKONI EDHE: Serbët vendosën për largim nga institucionet e Kosovës – Çfarë ndodh tash?Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS.
Institucionet e Kosovës kanë fajësuar “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nga 1 shtatori deri në nëntor kanë regjistruar katër incidente të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave.
Deri në fund të muajit tetor besohet se rreth 20 makina me targa ilegale serbe janë pajisur me targat RKS.
Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar djegien apo shkatërrimin e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka konsideruar aktet e tilla “frikacake dhe kriminale”.
SHIKONI EDHE: SHBA dënon shkatërrimin e pronave të personave që pajisen me targa RKSPlani për targat
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj - në tri faza - për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.
SHIKONI EDHE: Edhe një “jo” e Kurtit ndaj kërkesave të SHBA-sëKosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.