Një shtëpie në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicën e Veriut - zonë e banuar me shumicë serbe - iu vu zjarri në orët e para të së martës, bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i cili tha se zjarri është fikur nga patrulla dhe se dëme ka pësuar dera e hyrjes së shtëpisë.
“Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarrëvënie dhe se ky zjarr është shkaktuar nga një koktej i molotovit”, tha Elshani, duke shtuar se policia është duke punuar në ndriçimin e rastit.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se shtëpia ishte ndërtuar nga Qeveria e Kosovës, për të mbështetur kthimin e banorëve në këtë lagje multietnike.
Ai akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për, siç tha, nxitje të mosdurimit etnik.
Sipas tij, Vuçiq “ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij” dhe “ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”.
Atje, prej vitesh, kanë funksionuar struktura paralele të Serbisë.
Në fund të muajit të kaluar, autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur disa prej tyre, me arsyetimin se kanë vepruar jashtë ligjeve të Kosovës.
Ky veprim është dënuar nga Beogradi zyrtar, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka cilësuar si të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Ajo kërkon nga Kosova që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës thotë se veprimet e saj kanë për qëllim shtrirjen e rendit dhe ligjit.
SHIKONI EDHE: I zhvendosuri serb që iu dogj shtëpia, nuk heq dorë nga kthimi në KosovëPërndryshe, Qeveria e Kosovës, në fillim të këtij viti, ka filluar ndërtimin e shtëpive në veri për shqiptarët e zhvendosur që nga paslufta.
Ndërkohë, edhe kthimi i serbëve në komunat jugore zgjat për më shumë se 20 vjet, por, sipas të dhënave të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, rreth 30.000 nga afërsisht 200.000 të zhvendosur tashmë janë kthyer.