“Shumë gjëra do të doja të ndryshohen në Kosovë, por do të veçoja largimin e mbeturinave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Shyqyri Demaku nga Prishtina, i cili tash e 33 vjet, bashkë me familjen, jeton në Suedi.
“Pastrimi nuk është në nivel. Këta kontejnerë që i keni për mbeturina, të futen nën tokë disi. Kjo duhet të ndryshohet dhe kjo mund të bëhet lehtë me angazhimin më të madh të institucioneve”, thotë Shyqyriu, i cili Kosovën e viziton deri në tri herë në vit.
Ai dhe dhjetëra kosovarë të tjerë nga diaspora vizituan të hënën ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe u pritën nga disa deputetë.
Aktiviteti tradicional, i njohur si “Bashkatdhetarët në Kuvend”, zgjat dy ditë.
Hysni Makovci, i cili vizitoi Kuvendin bashkë me djalin e tij, thotë se “syrin ia vrasin ndërtimet e shumta në Kosovë”.
“Më mirë është të investohet në shëndetësi. Do të duhej të kishte sigurime shëndetësore, ashtu siç i kemi ne në Gjermani”, thotë Hysniu.
Ai migroi në Gjermani gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Vendlindjen e tij, Prishtinën, e viziton deri në katër herë në vit.
Hysniu thotë se duhet punuar edhe për rritjen e pagave në Kosovë, ku mesatarja sillet rreth 520 euro në muaj.
“Kam motrat këtu dhe nënën dhe më duhet t’i ndihmoj. Dërgoj para çdo muaj. Edhe për mua është vështirë t’i ndaj ato mjete që i dërgoj në Kosovë, por punojmë shumë dhe ia dalim”, thotë ai.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.
Vizitat e tyre në Kosovë janë më të shumta gjatë verës.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 - qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale - kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove.
Diaspora dërgon shuma të konsiderueshme parash edhe në formë të remitencave - vlera e të cilave, vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro.
Kuvendin e Kosovës e vizitoi të hënën edhe Albion Krasniqi, nga komuna e Klinës, i cili jeton dhe studion në Itali.
Ai synon që një ditë të kthehet në Kosovë. Thotë se do të dëshironte që “ligjet që miratohen në Kosovë, të zbatohen”, si dhe t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve.
“Mendoj se çdo i ri që jeton atje, në Itali, ka shumë aftësi që mund t’i zhvillojë këtu dhe mund të kontribuojë më shumë këtu sesa në Itali”, thotë Albioni.
Fatmir Bytyçi ka disa javë që bashkë me familjen gjenden në Kosovë. Me prejardhje nga Prizreni, ai ka emigruar në Gjermani në vitin 1992.
Për Fatmirin, arsimi është fusha ku duhet investuar më së shumti në Kosovë.
“Subjektet politike nuk i njohin problemet e arsimit... Një problem që nuk e kupton, nuk mund as ta zgjidhësh. Mendoj se arsimi është shumë i dobët në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora zë vendin e parë edhe sa u përket investimeve të huaja në vend, që bëhen kryesisht në patundshmëri. Ndërtuesit konfirmojnë se deri në 70 për qind e blerësve janë nga diaspora.
SHIKONI EDHE: Bie kostoja e ndërtimit, por jo edhe e banesave