Takimi trepalësh në Bruksel i kryenegociatorëve, pa ndonjë rezultat

Takimi trepalësh në Bruksel, më 2 korrik 2024.

Një takim trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, përfundoi pa ndonjë pajtim, të martën vonë.

"Kemi diskutuar për një gamë të gjerë çështjesh dhe kemi rënë dakord për një sërë hapash në vazhdim", shkroi Lajçak në X.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe", tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Petkoviq, ndërkohë, i cilësoi takimet si "të vështira", dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Your browser doesn’t support HTML5

BE-ja nuk arrin t’i takojë bashkë Kurtin e Vuçiqin

“Një nga çështjet kyçe është pranimi i draftit të Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja. Beogradi është gati ta pranojë atë. Drafti është vendimtar dhe është hapi kryesor në drejtim të themelimit të Asociacionit”, tha Petkoviq.

Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin fillimisht, para se t'i takonte ata në një takim trepalësh në fund. Takimet e së martës në përgjithësi zgjatën rreth 6 orë.

Bislimi tha se gjatë periudhës së verës nuk do të ketë më takime në Bruksel. Ai bëri të ditur se deri më 18 korrik palët do të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të Marrëveshjes. Pas këtyre komenteve, sipas tij, pala evropiane do ta nxjerrë një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk u zbatua.

Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut - përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes tërheqjen e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, vitin e kaluar - që Vuçiq nuk i pranoi.

Bislimi tha se Petkoviqi e bëri përsëri të qartë se Serbia nuk do t'i plotësojë këto kushte.

SHIKONI EDHE: O’Brien: Moszbatimi i marrëveshjeve, mundësi e humbur për palët

"Ata e kanë bërë të qartë se për ta ka pjesë të Marrëveshjes që nuk i zbatojnë dhe ka pjesë të cilat nuk mund dhe nuk do t’i zbatojnë. Në kërkesën time që Sërbia ta tërheqë letrën e zonjës Bërnabiq, Petkoviq tha se letra e saj pasqyron pozicionet e presidentit Vuçiq", tha Bislimi.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

Më 1 korrik, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u tha gazetarëve se qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “normalizimi i marrëdhënieve”.

“Kjo detyrë është dhënë nga BE-ja si mandat për lehtësuesit e dialogut. Pra, mandati është t’u ndihmohet dy palëve që t’i normalizojnë raportet. Njohja [e Kosovës nga Serbia] nuk është pjesë e mandatit. Natyrisht, konsekuencë logjike e normalizimit do të ishte njohja. Por, kjo është diçka shumë larg në rrugën e procesit”, tha Stano.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se BE-ja po tenton që palët të bien dakord për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri më tash, palët kanë pasur qëndrime të ndryshme për këtë.

SHIKONI EDHE: Bislimi e Petkoviq në Bruksel për “zbatimin urgjent” të marrëveshjes

Kosova nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me integritetin territorial të Kosovës.

Për takimin e së martës mes kryenegociatorëve foli të hënën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca tha se nga BE-ja priten standardet më të larta, edhe të politikës, edhe të etikës në politikë.

Sipas tij, Borrell dhe i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, “nuk kanë vepruar sipas standardeve më të larta evropiane”.

Më herët, BE-ja i ka hedhur poshtë pretendimet e ngjashme të Kurtit se ndërmjetësuesit evropianë nuk janë neutralë.

Çfarë temash tjera u diskutuan?

Bislimi tha se temë bisedimesh ishin edhe energjia, apo zbatimi i marrëveshjes për energjinë, si dhe tema e personave të zhdukur me dhunë. Kjo e dyta u bisedua kryesisht në takimin e tij dypalësh me Lajçakun, sipas tij.

Ai tha se ka dallime në qëndrimet mes BE-së dhe Kosovës në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për energjinë, duke thënë se autoritetet kosovare kanë “gjetur shkelje”, ndërsa BE-ja mendon se ajo po zbatohet edhe pse jo me ritëm të shpejtë.

SHIKONI EDHE: “Kjo nuk është e drejtë”: Qytetarët në veri për faturat e reja të rrymës

“Ne kemi informata që Elektroseveri nëpër fatura që i shpërndan e përdor termin Mitrovica e Kosovës apo Sërpska Mitrovica, që është term jokushtetuese dhe termin postar 38220, që është kod postar i strukturave paralele, nuk është kod zyrtar. Kemi brenga edhe për mos inkasimin e duhur, i cili nxjerr pastaj telashe në pagesa”, tha Bislimi.

Në verën e vitit 2023, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kompania serbe Elektroseveri ka filluar shpërndarjen e faturave në veri nga fundi i shkurtit.

Bislimi e akuzoi Serbia se “vazhdimisht po e saboton deklaratën për personat e zhdukur”.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në vitin 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.