Fabrizi: Dialogu me Kosovën, kyç për pranimin e Serbisë në BE

Ambasadori i BE-së në Serbi, Sem Fabrizi. Foto nga arkivi.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është një element kyç për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Rundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë më i vështiri nga të vështirët. Të dyja palët duhet t’i përkushtohen atij. Dialogu është një element kyç për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në BE. Ka interes të madh që dialogu të ketë sukses dhe BE-ja po bën të pamundurën për këtë”, tha Fabrizi për Radio-Televizionin e Serbisë.

Rundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zhvillua më 19 korrik në Bruksel.

Palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit që procesi të ecë përpara.

Megjithatë, ato u pajtuan që t’i vazhdojnë bisedimet në shtator.

SHIKONI EDHE: Kush dhe çfarë humb nga dështimi i dialogut Kosovë-Serbi?  

Fabrizi tha se kushtet që Brukseli ia ka vënë Serbisë për anëtarësim në BE, janë konstante dhe nuk ndryshojnë.

“Dihet se për çfarë bëhet fjalë - dialogu me Prishtinën, sundimi i ligjit, reformat ekonomike, prokurimi publik, subvencionet, ndihma shtetërore janë gjëra për të cilat duhet të punohet”, tha Fabrizi.

Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit i ka hapur edhe Mali i Zi.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.