Scholz: Dialogu me Erdoganin, kyç në “momente të vështira”

Kancelari gjerman, Olaf Scholz (djathtas) me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka përmendur të premten rëndësinë e dialogut direkt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, duke marrë parasysh qëndrimet e tyre të ndryshme në konfliktin në Lindje të Mesme.

“Zoti president, nuk është sekret se ne kemi qëndrime shumë të ndryshme për konfliktin”, ka thënë Scholz në konferencë për media, para darkës me Erdoganin.

“Kjo është pikërisht pse bisedimet tona janë aq të rëndësishme, sidomos në kohë të vështira kemi nevojë për dialog dhe njëri-tjetrin’.

Erdogan e quan Hamasin – organizatën palestineze të shpallur terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – si “organizatë çlirimtare”, dhe e akuzon Izraelin për “gjenocid” në Rripin e Gazës, si dhe e vë në pikëpyetje ekzistencën e Izraelit.

Gjermania e ka theksuar disa herë mbështetjen e palëkundur për Izraelin dhe e ka mbështetur ofensivën tokësore dhe ajrore të tij në Gazën me 2.3 milionë palestinezë.

“E drejta e Izraelit për të ekzistuar është e padiskutueshme për ne. Nuk ka vend për antisemitizëm në vendin tonë, pavarësisht nëse është i motivuar nga politika apo nga feja, pavarësisht nëse vjen nga e djathta apo e majta, pavarësisht nëse është rritur për shekuj, apo nëse vjen prej jashtë”.

SHIKONI EDHE: Rritje e antisemitizmit në mbarë botën

Scholz, ka thënë po ashtu, se e kundërshton secilin që dëshiron ta mohojë vendin e myslimanëve në Gjermani.

Ai ka thënë se vuajtjet e popullsisë civile palestineze në Gazë janë depresive dhe ka thënë se dëshiron të bisedojë me Erdoganin “si mund të parandalohet përshkallëzimi i mëtejmë, sepse ne e ndajmë të njëjtin shqetësim për zjarrin në Lindje të Mesme”.

Situata në Gazë është rënduar prej nisjes së bombardimeve izraelite të nisura më 7 tetor.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit, pasi grupi ekstremist e ka nxitur luftën, përmes sulmeve të nisura po atë ditë në tokën izraelite, duke i vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Ndërkohë ushtria izraelite ka nisur edhe ofensivë tokësore në Gazë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 11.000 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në Gazën e rrethuar.