Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur

(Nga e majta) Kryenegociatori në dialogun Kosovë- Serbi nga Kosova, Besnik Bislimi, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog Miroslav Lajçak dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën.

Këtë e konfirmuan më 17 dhjetor shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.

SHIKONI EDHE: Varret pa qetësi: Familjarët e të pagjeturve në Kosovë i përcjellin identifikimet e pasakta

Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.

“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

Çfarë thotë Komisioni për Persona të Zhdukur i Kosovës?

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë tha se arritja e pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e plotë të deklaratës për të zhdukurit përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e “shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë”.

Sipas tij, komisioni i përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian dhe do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të deklaratës së personave të Zhdukur.

“Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, tha Komisioni.

Petkoviq tha se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit sa i përket zbatimit të deklaratës për personat e zhdukur.

“Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Serbia konfirmon kërkimet në një varrezë të mundshme masive pranë Novi Pazarit

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Bislimi tha se çështja e personave të zhdukur ishte vetëm njëra nga temat që u trajtuan të martën në Bruksel.

Ai tha se në takimin me Lajçakun diskutoi edhe marrëveshjen për energjinë, duke thënë se i nënvizoi “shkeljet” që i ka bërë Serbia marrëveshjes së telekomit dhe, “sidomos duke mos aktivizuar linjat e interkoneksionit”.

SHIKONI EDHE: Çfarë do të thotë hapja e kufirit energjetik mes Kosovës dhe Serbisë?

Petkoviq tha se është diskutuar edhe për menaxhimin e integruar të kufijve, për certifikatat veterinare, është kërkuar që të hapen edhe vendkalimet e tjera për mallrat serbe, dhe telekomunikacioni.

Ndërkohë, Bislimi shtoi se ajo për çfarë ai shprehu brengosje në veçanti se Serbia nuk dëshiron ta lejojë Qeverinë e Kosovës t’i ndihmojë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Ministria përkatëse në Serbi dëshiron ta detyrojë këshillin kombëtar shqiptar ta tërheqë thirrjen për ndihma humanitare për fermat në Serbi, përkundër faktit se ka transparencë të plotë në të”, tha Bislimi.

SHIKONI EDHE: Bislimi thotë se Serbia po tenton ta ndalë ndihmën e Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginë

Sulmi në Ibër-Lepenc

Bislimi tha se Lajçaku e dënoi sërish sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dhe se ka ofruar ndihmën e BE-së në hetimin e këtij rasti.

Petkoviq tha se i pari ka ngritur çështjen e “incidentit” në Ibër-Lepenc, duke e akuzuar Kosovën për përhapjen e “akuza të rreme se Beogradi zyrtar është i përfshirë në atë sulm”.

“E pyeta Bislimin nëse kanë ndonjë provë konkrete. Natyrisht që nuk kanë asnjë provë, sepse është e qartë që Beogradi nuk ka asnjë lidhje me këtë”, tha Petkoviq.

SHIKONI EDHE: Shefi i NATO-s për sulmin në Ibër-Lepenc: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë

Serbia i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Kosovës se ajo ka gisht në këtë sulm.

Ndërkohë, Petkoviq tha se për serbët në Kosovë dhe për Beogradin është e rëndësishme çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe depërshkallëzimi.

“Për këtë kemi folur me forcë dhe kemi insistuar edhe në takimin bilateral direkt me zotin Bislimi”, tha ai.

Ky mund të ketë qenë takimi i fundit i ndërmjetësuar nga Lajçaku, të cilit do t'i përfundojë mandati në fund të muajit janar.

Ndërkohë, pritet që shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë pozitë dhe kush do të jetë ai.