Vuçiq dhe Hill pajtohen që përpjekjet të përqendrohen në dialogun Kosovë-Serbi

Ambasadori amerikan në Beorad, Christopher Hill, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, u pajtuan që të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca serbe, pas takimit midis Vuçiqit dhe Hillit më 23 maj.

“Bisedimet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet e hapura, si dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.

Sipas njoftimit, ambasadori Hill theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin me partnerët e BE-së në drejtim të vazhdimit të dialogut, që do të sjellë rezultate konkrete. Ai po ashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për integrimin evropian të Serbisë dhe shteteve të tjera të rajonit dhe pozicionin e Uashingtonit se BE-ja duhet të zgjerohet.

SHIKONI EDHE:

Takimi Sullivan-Kurti: SHBA mbështet dialogun për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-SerbiBorrell: S’ka të ardhme evropiane nëse mbahen kontakte me Putinin

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve më 2011. Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

SHIKONI EDHE: G7 kërkon nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog

Presidenca serbe tha se Vuçiq gjatë takimit me ambasadorin Hill ka “theksuar përpjekjet e Serbisë që kanë për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe ka thënë se “Serbia është nismëtare e disa projekteve që lidhin në mënyrën më të mirë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Ne po ashtu mbështesim nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë që kjo nismë të zhvillohet më shpejt”, citohet të ketë thënë ambasadori Hill.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Iniciatorët e Ballkanit të Hapur deri më tani nuk ia kanë dalë që t’i bindin edhe tri shtetet e rajonit – Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën – të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

Kjo nismë ka për qëllim të lehtësojë lëvizjen e kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.