I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se bisedimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ishin "një hap i parë i rëndësishëm", por se "shumë pyetje politike" mbeten ende pa përgjigje.
Me ftesë të tij, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan të martën në Bruksel.
"Takimet shtesë do të jenë të nevojshme", tha Lajçak në një postim në platformën X.
Ai nuk sqaroi nëse palët kanë pasur ndonjë dakordim.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.
"Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim", tha Ismaili për Radion Evropa e Lirë.
Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tha se rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.
"Pasojat e një vendimi të tillë të njëanshëm [të Kosovës] janë politike dhe ndikojnë në mbijetesën e popullit serb në Kosovë", tha ai pas takimit.
Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
Ajo nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë.
Diplomatët perëndimorë i kërkuan Qeverisë së Kosovës që ta pezullojë zbatimin, për t'u dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Por, kryeministri Albin Kurti këmbënguli se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet.
Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.
SHIKONI EDHE: Hovenier: Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tonaÇfarë u tha tjetër në Bruksel?
Guvernatori i BQK-së, Ismaili, tha se në takim u prezantuan disa modele teknike se si Serbia mund ta vazhdojë financimin e serbëve në Kosovë në mënyrë ligjore dhe transparente.
"Ekzistojnë mundësi ligjore për transferim ligjor [të parave], nëse Serbia është e gatshme t'i pranojë ato", tha Ismaili pa ofruar më shumë hollësi.
Petkoviq tha se për çështjen e dinarit nuk është diskutuar asnjëherë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por "duke qenë se vendimi i së ashtuquajturës Bankë Qendrore të Kosovës prek drejtpërdrejt serbët, sigurisht që do të diskutohet në Bruksel".
Ai shtoi se do të bëjë "absolutisht gjithçka" për të arritur një zgjidhje në Bruksel.
"Këmbëngulëm se duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejt, sepse jemi në prag të marsit, kur qytetarët tanë duhet t'i marrin të ardhurat për muajin shkurt", tha Petkoviq.
Në takimin e përbashkët Kosovë-Serbi ishin të pranishëm vetëm ekspertë financiarë nga të dyja vendet.
Sipas informacioneve jozyrtare, me insistimin e palës kosovare, Petkoviq nuk ishte i pranishëm në atë takim.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e refuzoi ftesën e Lajçakut, me arsyetimin se nuk bëhej fjalë për një takim ku do të duhej të shkonte ai, sepse, siç tha, "çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut" për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
SHIKONI EDHE: Osmani: Çështja e dinarit e zgjidhshme, s’është dashur të shkaktonte përplasje me aleatëtQë nga paslufta më 1999, komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa në dinarë nga Serbia, përfshirë paga, pensione e shtesa për fëmijë.
Banka Popullore e Serbisë i dërgonte dinarët në kasafortën e saj në komunën e Leposaviqit - pjesa veriore e Kosovës - prej nga kompania ndërkombëtare, Henderson, i transportonte nëpër institucionet financiare që operojnë nën sistemin serb, të tilla si Posta e Serbisë apo Kursimorja e Postës.
BQK-ja këmbëngul tani se kjo praktikë është e kundërligjshme, sepse vetëm ajo mund të eksportojë dhe importojë monedha dhe kartëmonedha në territorin e Kosovës.
REL-i raportoi më herët se në disa komuna me shumicë serbe në Kosovë, qytetarët janë ankuar për mungesën e dinarëve.