Me lehtësimin e Përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë vazhduar në Bruksel me raundin e ri të dialogut në nivelin më të lartë politik.
Pas bisedimeve të ndara të Përfaqësueses së lartë Mogherini me presidentët Thaçi e Vuçiq, takimi i përbashkët u zhvillua në një darkë pune.
Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas takimit, thuhet se diskutimet u zhvilluan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe "përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve".
Presidentët shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të grupeve punuese të mbajtura në Bruksel.
“Përfaqësuesja e lartë Mogherini theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pastaj zbatimin e marrëveshjes për energjisë dhe përfundimin e punimeve për rivitalizimin e Urës mbi Ibër në Mitrovicë”, thuhet në deklaratën, të cilën e ka bërë publike zëdhënësja Kocijanqiç.
Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka rikujtuar se përparimi i të dyja vendeve në agjendat e tyre integruese në BE është i lidhur fortë me përparimet në dialog.
Me të përfunduar takimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëroi mundësinë që qysh këtë vit të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Sa më shumë që vonohemi do të paguajmë çmimin të dyja vendet ngase do të vonohet e ardhmja jonë evropiane. Andaj mendoj se duhet të punojmë në mënyrë sa më dinamike që të arrijmë këtë marrëveshje, shpresoj këtë vit”, theksoi Thaçi.
Ai tha se të dyja shtetet e dëshirojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve, ngase ajo është në interesin e Kosovës, Serbisë por edhe Bashkimit Evropian.
“Për këtë jam optimist dhe besoj se mund të arrihet një marrëveshje e paqes, stabilitetit, e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe e pajtimit midis vendeve tona. Kjo është mënyra e vetme që të ecim përpara”, theksoi Thaçi.
Kurse presidenti serb, Vuqiç, tha pas takimit se fakti që për pesë vjet nuk janë përmbushur gjashtë pika të marrëveshjes së Brukselit, të cilat kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave serbe, nuk mund të jetë fajtore vetëm pala shqiptare (nga Kosova), ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, për këtë zvarritje fajin e ka edhe Bashkimi Evropian si garantues i zbatimit të marrëveshjeve.
Tutje ai ka thënë se BE ua ka bërë të qartë përfaqësuesve të Kosovës se duhet të lëvizin përpara me themelimin e Asociacionit.
“Nuk do t’i dëmtojmë interesat tona që dikush në BE të jetë i kënaqur”, theksoi Vuqiç
Sidoqoftë, ai e ka pranuar se rruga evropiane është e rëndësishme për Serbinë.
Vazhdimi i dialogut ndërmjet dy presidentëve ka si synim avancimin e procesit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit për relaksimin e raporteve reciproke.
Maja Kocijanqiç, zëdhënëse e Mogherinit ka thënë para takimit se darka e punës do të shërbejë që të dy presidentët të bisedojnë për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura.
Me Strategjinë e re të zgjerimit, Komisioni Evropian vetëm sa u ka përsëritur si Kosovës ashtu edhe Serbisë, domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve, në mënyrë që të dyja shtetet të ecin drejt proceseve integruese.
Një marrëveshje e tillë, është parashikuar të arrihet gjatë vitit 2019.
Your browser doesn’t support HTML5
Kohë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati kërkuar nga të gjitha instancat politike në vend krijimin e një Ekipi të Unitetit në Kosovë për fazën e re të dialogut me Serbinë.
Ai kishte deklaruar se çdo zgjidhje përfundimtare do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Ndryshe, kjo fazë e dialogut, në Prishtinë shihet si pjesa finale e negociatave, të cilat po zhvillohen në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.
Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.
Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.
Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila, ndër tjera, parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Krahas asaj marrëveshje, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar edhe marrëveshje tjera, si atë për energjinë, lëvizjen e lirë, njohjen e diplomave universitare, atë për tabelat e automjeteve, marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit e të tjera.