Të dhurosh dije: Burri që po bën ndryshimin për fëmijët afganë

Wazir Khan, një afgan 23-vjeçar, duke mbajtur mësime në ambient të hapur në periferi të Kabulit më 4 tetor. Khan filloi Shkollën Mobile të Fëmijëve më shumë se një vit më parë për të ofruar arsimim falas për familjet afgane në nevojë.

Një vajzë afgane duke lexuar një mësim para bashkëmoshatarëve të saj.

Që nga marrja e pushtetit në gusht të vitit 2021, pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare, talibanët afganë kanë imponuar një interpretim të rreptë të ligjit të sheriatit islam në vend, i cili i përjashton kryesisht vajzat dhe gratë e reja nga arsimi. Mungesa e arsimimit dhe kufizimi i mësueseve vajza e gra ka qenë shkatërrues, veçanërisht për fëmijët që jetojnë jashtë zonave urbane.
 

"Fëmijët nuk kishin qasje në shkollën zyrtare dhe kishin mbetur analfabetë. Dhe, kjo ishte arsyeja pse unë themelova shkollën", tha Khan për Agjencinë e Lajmeve Xinhua. Khan është gjithashtu student në një universitet privat.

Tre vullnetarë e ndihmojnë Khan në edukimin e nxënësve, shumica e të cilëve nuk kanë tekste shkollore ose fletore. Klasat përbëhen nga 100 deri në 200 fëmijë pa kushte elementare dhe pa shtëpi, dhe mësimi mbahet nga dy orë në ditë, tre ditë në javë, në ambient të hapur. 

 

"Fëmijët e shumë pleqve në këtë zonë nuk shkojnë në shkollë. Ne i kemi vizituar shtëpitë e tyre, u kemi trokitur në dyer, kemi diskutuar me ta për rëndësinë e edukimit në disa takime dhe më në fund i kemi bindur që t'i sjellin djemtë dhe vajzat e tyre te ne, në shkollë", tregon Khan me krenari.

Edhe pse mësimi nganjëherë mbahet nën diellin përvëlues, fëmijët që ndjekin klasat e Khanit janë të etur për të mësuar dhe numri i regjistrimeve ka kaluar 1000 gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë edhe fëmijë me nevoja të veçanta.

 

Khan duke e mësuar një grup të vogël fëmijësh. Kurrikula përfshin Sirat al-Nabi, një biografi të Profetit Islamik Muhamed, Pashto dhe Dari (Persisht) -- dy gjuhët zyrtare të Afganistanit -- si dhe anglisht dhe artin e të folurit.

Fëmijët afganë duke u larguar nga "klasa" e tyre.

UNICEF-i vlerëson se 3.7 milionë fëmijë nuk ndjekin shkollën në Afganistan dhe 60 për qind e tyre janë vajza.