Ndriçimi i plotë të ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, më 27 prill të këtij viti, nuk do të ketë ndonjë pasojë serioze ndaj proceseve të rëndësishme që e presin Maqedoninë, si agjenda evropiane, apo më vonë zgjidhja e çështjes së emrit.
Kështu vlerësojnë ekspertët juridikë dhe njohësit e çështjeve politike duke komentuar akuzat ndaj 36 personave që dyshohen për veprën terrorizëm lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvend, e në mesin e të cilëve janë edhe gjashtë deputetë të VMRO DPMNE-së dhe zyrtarë tjerë të kësaj partie që drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Madje, analisti Albert Musliu thotë se zbardhja e kësaj ngjarjeje të rëndë, do ta ndihmojë vendin në konsolidimin e sistemit të drejtësisë që është ndër më të kritikuarit në vend, pikërisht për shkak të lëshimeve dhe ndikimeve politike në procedimin e rasteve kriminale.
“Kjo është diçka, të cilën të gjithë ne e kemi pritur. Ajo çfarë i ndodhi Maqedonisë më 27 prill ishte diçka e paparë, por për fat të keq, për shkak të ngjarjeve tjera që e përcollën vendin, këtij rasti nuk iu kushtua vëmendja e duhur, pavarësisht se ishte një traumë shoqërore. Gjithashtu, kishte një besim te pjesëmarrësit në atë proces se në një farë mënyre do të mund të anashkalonin drejtësinë".
"Ne e dimë se kishte disa vendime të gjykatave, tendenca të prokurorisë që të ketë një qasje më të butë ndaj atyre që e zhvilluan këtë proces, por kjo që ndodhi, përfundimisht paraqet atë qasjen serioze ndaj drejtësisë dhe luftën kundër atyre që mendonin se janë të pakapshëm”, thotë Musliu.
Të gjithë zyrtarët e ndaluar nga policia, shumë prej të cilëve janë dërguar në paraburgim prej 30 ditësh, akuzohen për veprën penale “terrorizëm dhe rrezik të rendit kushtetues”, vepër kjo që parasheh minimum 10 vjet burgim.
“Vepra penale, me të cilën ngarkohen këta persona, është shumë serioze, andaj edhe nevojitet qasje shumë serioze nga organi i akuzës. Ky është një zhvillim unikat që nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër të rajonit, prandaj është mirë që prokuroria ka nisur me një procedurë të këtillë për ndjekjen e personave që ishin të përfshirë në dhunën e përgjakshme në Kuvend. Besoj që prokuroria të ketë dëshmi të mjaftueshme dhe të qëndrueshme që të mund të pranohen nga gjykata”, thotë Nikolla Dujovski , njohës i çështjeve politike dhe të sigurisë.
Ai thonë se më 27 prill nuk është mbrojtur shteti, siç pretendon opozita, përkundrazi, sipas tij, në këtë ditë është sulmuar shteti në mënyrën më brutale të mundshme.
“Këta persona nuk e mbronin shtetin siç pretendojnë në deklarimet e tyre, përkundrazi ata sulmuan shtetin, ndërhynë në Kuvend, sulmuan përfaqësuesit e popullit. Ata tentuan të rrëzojnë kryetarin e Kuvendit të zgjedhur në mënyrë demokratike. Mendoj se Gruevski më nuk ka kapacitet për të bërë asgjë në drejtim të ndonjë tensionimi të ri. Kjo u pa edhe në protestat e fundit të thirrura nga vetë ai, e në të cilat mori pjesë një numër shumë vogël i mbështetësve të tij”, thotë Dujoski.
Në mesin e të paraburgosurve është edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, si njëri ndër më përgjegjësit për dhunën në Kuvend. Ai akuzohen se nuk kishte urdhëruar policinë që të ndërhyjë ndaj protestuesve për të ndaluar pushtimin e Kuvendit.
Gjatë pushtimit të Kuvendit shumë deputetë ishin sulmuar fizikisht, ndërsa më së keqi e pësuan Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe lideri i LSDM-së, tani kryeministër Zoran Zaev.
Sulmuesit e tyre po akuzohen për veprën penale vrasje me paramendim, për të cilën mund të dënohen edhe me burgim të përjetshëm.