Që nga janari e deri këtë muaj, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.
Në Kosovë, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”.
Në aktivitetin e mbajtur më 27 nëntor, të titulluar “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.
“Në kuadër të kësaj fushate kemi paraparë mbi 80 aktivitete në secilën komunë të Republikës sepse e konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të punojmë me të gjithë. Aktiviteti i sotëm ‘Ato janë ne’, është një thirrje për sensibilizim për dhunën mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, është një thirrje për policinë, prokurorinë dhe gjykatat që rastet dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, të mos i injorojnë të mos i neglizhojnë, të mos i paragjykojnë, por të marrin veprime serioze dhe përgjegjësit, pra dhunuesit t’i vendosin para përgjegjësisë penale. Po ashtu është thirrje që qytetarët kudo dhe kurdo që janë në dijeni të dhunës, të mos heshtin, por ta ndihmojmë vikimën, edhe viktimat të mos i lënë pa raportuar rastet e dhunës”, tha Haxhiu.
Ajo tha se institucionet po punojnë që t’u ofrojnë ndihmë falas juridike për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Osmani tha se fenomeni i dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje është “jashtëzakonisht i dëmshëm” për shoqërinë e Kosovës. Ajo kërkoi nga institucionet që të bëjnë më shumë për të adresuar këto raste dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar gjatë këtij viti, që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por që kemi edhe parandalim të këtij krimi. Iu bëjmë thirrje të gjitha vajzave e grave që mos ta ngrisin zërin kundër dhunës. Dua t’iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që ta luftojnë patriarkatin, t’iu japin prioritet luftimit të këtij fenomeni dhe të dënojnë kryesit. Një prej prioritet tona duhet të jenë që institucionet të jenë sa më efikase në luftimin e dhunës mbi baza gjinore”, tha presidentja Osmani.
SHIKONI EDHE: Heshtja ndaj dhunës çon në vrasjen e graveFushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me baza gjinore” do të përfshijë edhe aktivitete vetëdijesuese në shkollat e Kosovës, tha ministrja Nagavci, duke shtuar se nxënësit do të informohen për të drejtat e tyre, por edhe do të informohen që të adresojnë shkeljet.
“Kemi përgatitur dhe shpërndarë informatorë edhe për mësimdhënësit tanë që do të ndihmojë ata në identifikimin e shenjave te nxënësit që mund të kenë përjetuar dhunë, por edhe adresimin e këtyre raste”, tha ajo.
Fushata "16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore" ka nisur më 25 nëntor dhe do të zgjasë deri më 10 dhjetor.
Kosova ka bazë ligjore që synon që të parandalojë dhe të ndëshkojë kryesit e veprave penale që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën mbi baza gjinore. Më 2020, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Konventën e Stambollit, marrëveshje ndërkombëtare e Këshillit të Evropës që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, por edhe dhunën në familje. Kjo konventë parasheh zero tolerancë ndaj dhunës.
SHIKONI EDHE: “Asnjë minutë më” - Jeta e të mbijetuarve pas raportimit të dhunës në familjeNë Kosovë po ashtu ka disa shtëpi të sigurta që strehojnë gratë që kanë qenë viktimë e dhunës në familje.
Në protesta të shoqërisë civile dhe të qytetarëve, shpesh janë kritikuar institucionet e drejtësisë lidhur me mënyrën se si i trajtojnë rastet e dhunës.
Sipas të dhënave, nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
- Raporto rastet e dhunës në familje: 0800 19 999
- Numri kontaktues i Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112
- Numrat kontaktues të shtëpive të sigurta: 0800 800 01 dhe 0800 21 000
- Raporto rastet e dhunës në Policinë e Kosovës: 192