Në Maqedoninë e Veriut pothuajse gjysma e numrit të viktimave të dhunës në familje, përkatësisht 46 për qind e rasteve të dhunës edhe pasi e kanë denoncuar atë në organet kompetente, heqin dorë nga paditë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.
Kështu thuhet në të dhënat e koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, në kuadër të projektit “Evoluimi i standardeve për gjykim të drejtë dhe qasje deri te drejtësia në lëndët për dhunë familjare dhe krim nga urrejtja”.
Hulumtimi që ka realizuar koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” përfshin periudhën nga muaji shkurt deri në nëntor të vitit 2020, ku janë mbikëqyrur 81 raste gjyqësore të dhunës në familje. Sipas hulumtimit, në pjesën më të madhe të rasteve, gjykatat kanë shqiptuar dënime më të lehta, përkatësisht dënime me kusht.
Darko Avramovski nga ky koalicion, thotë për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi ka nxjerr në pah se gjykatat shqiptojnë dënime më të lehta kur bëhet fjalë për dhunën në familje kundrejt veprave të tjera penale.
“Gjashtëdhjetekatër për qind e rasteve kanë përfunduar me shqiptimin e dënimit me kusht, përkatësisht dënimit alternativ që nuk parasheh heqjen e lirisë, në 25 për qind të të rasteve është shqiptuar dënimi me burg , në 11 për qind të rasteve është hedhur poshtë padia. Kjo situatë praktikisht flet për politika të buta ndëshkuese”, thotë Avramovski.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Pak denoncime për rastet e dhunës në familjeNga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale bëjnë të ditur se numri i denoncimeve sa i përket dhunës në familje, është shumë i ulët.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jogoda Shahpanska thotë se kjo gjë do të ndryshojë kur të bëhen ndryshimet ligjore për qasjen ndaj dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore.
Ky legjislacion tashmë është në procedurë parlamentare. Me ndryshimet ligjore parashihet që gjykatat të sjellin vendime të shpejta në rastet kur bëhet fjalë për dhunën në familje, ndërkohë që viktimat lirohen nga pagesat e të gjitha taksave. Po ashtu parashihet që viktimat e dhunës në familje të kenë të drejtë të padisin institucionet përkatëse, nëse të njëjtat nuk kanë vepruar me kohë në rastet e ngritura.
“Për ne si ministri dhe si qeveri, prioritet është procedura e shpejtë dhe efikase për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, riintegrimi i tyre në sistem dhe sigurimi i parandalimit në drejtim të zvogëlimit të dhunës”, ka thënë ministrja Shahpanska, duke shtuar se krahas ligjit të ri do të miratohet edhe programi për riintegrimin e viktimave të dhunës.
Por, opozita maqedonase ka kërkuar që me ligj t’u pamundësohet të gjithë personave që ushtrojnë dhunë në familje, të mbajnë poste politike. Konkretisht, kjo parti kërkon që këta persona të mos mund të zgjidhen deputetë, ministra, kryetarë komunash, drejtorë e poste të tjera.
“Për fat të keq, këtu në parlament kemi koleg deputet që kanë kryer abuzime seksuale ndaj grave, për çka ai është dënuar, por tani ai sërish ushtron detyrë të rëndësishme”, tha deputeti i partisë maqedonase VMRO-DPMNE, Antonio Milloshsovski, i cili nuk tregoi se cilit deputet po i referohet.
Organizatat për të drejtat e grave thonë se në mënyrë paralele duhet të edukohet shoqëria që dhuna e cila ushtrohet në familje, të denoncohet, por edhe punonjësit e organeve të sigurisë t’i trajtojnë si duhet këto raste.
Aktivistja për të drejtat e grave, Rita Behadini, tha për Radion Evropa e Lirë se shoqëria në Maqedoninë e Veriut vuan nga paragjykimet, veçmas shoqëria shqiptare.
SHIKONI EDHE: Izolimi shfaq tendencën e rritjes së dhunës në familje“Është dëshmuar në vazhdimësi në të kaluarën se ndihma familjare, praktikisht kur vajza në rastin konkret mbështetet nga familja njëqind herë më e lehtë bëhet paraqitja e dhunës në organet kompetente dhe këto raste të procedohen deri në fund, meqë zakonisht këtyre rasteve nuk u shkohet deri në fund. Tani sidomos gjatë kohës së pandemisë, rastet për sa i përket dhunës në familje, në gjyqësor janë shtyrë duke mos u konsideruar mjaftueshëm urgjente. Kjo në njëfarë mënyre dekurajon denoncimin e dhunës në familje”, thotë Behadini.
Ndërkaq, Rrjeti kombëtar kundër dhunës në familje thotë se krahas mbështetjes psikologjike, si formë për të nxitur viktimat e dhunës ta denoncojnë atë, nevojiten programe funksionale sa i përket fuqizimit të pozitës së gruas në aspektin ekonomik, në mënyrë që ajo të mos jetë e detyruar të kthehet te dhunuesi për shkak të kushteve financiare.