Gjatë fundjavës së kaluar në organet e policisë në Maqedoninë e Veriut janë denoncuar pesë raste të dhunës në familje.
Krahas grave që kanë denoncuar bashkëshortët për ushtrimin e dhunës ndaj tyre, janë paraqitur dhe raste të ushtrimit të dhunës ndaj fëmijëve të mitur nga ana e baballarëve të tyre.
Të dhënat zyrtare nga dikasteri i policisë tregojnë se është në rritje të vazhdueshme numri i rasteve të denoncimit të dhunës në familje.
Brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti në polici janë paraqitur 540 kallëzime penale për dhunë në familje, në 410 prej të cilave viktima janë gratë. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2. 293 ankesa për dhunë në familje.
Brenda pesë vjetëve të fundit është dyfishuar numri i ankesave dhe kallëzimeve penale.
Përderisa në vitin 2017 janë paraqitur 2.394 ankesa, në vitin 2022 ky numër ka arritur në 4.421 ankesa.
SHIKONI EDHE: Mbrojtja e grave nga dhuna në familje mbetet sfidë në Maqedoninë e VeriutPor, organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të grave theksojnë se numri i grave ndaj të cilave ushtrohet dhunë është shumë më i lartë nga ai që paraqitet në organet e sigurisë, pasi siç theksojnë, dy për qind të rasteve denoncohen në organet e sigurisë.
“Viktimat e dhunës në familje ngrenë zërin në momentin që dhuna bëhet më se e dukshme, përkatësisht kur u rrezikohet jeta”, thekson Daniella Dabeska, kryetare e Qendrës maqedonase për të drejtat e grave.
Si shumë problematike ajo e sheh mosreagimin në kohë dhe në mënyrë adekuate të institucioneve pas denoncimit të dhunës.
Gratë që denoncojnë dhunën, gjatë procesit e tërheqin akuzën
Në bazë të procedurave, viktima e dhunës në familje pasi të ketë denoncuar rastin, organet e policisë dalin në teren të marrin deklaratë nga viktima dhe ta shoqërojnë atë në spital nëse konstatojnë se ka dhunë fizike.
Megjithatë, viktima e dhunës në familje është ajo që vendos nëse do ta ndjekë penalisht dhunuesin.
Nëse viktima vendos ta vazhdojë procesin, në të përfshihen edhe hetuesia dhe viktima dërgohet në një shtëpi të sigurt. Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë 13 qendra për gratë viktima të dhunës në familje.
Por, të dhënat e dikasterit të policisë tregojnë se gratë e dhunuara hezitojnë ta çojnë deri në fund procesin, me atë që dhunuesi të përballet me drejtësinë.
“Në 80 për qind të rasteve të raportuara viktimat më vonë tërhiqen, gjegjësisht nuk ngrenë procedurë penale ”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i lartë i dikasterit të policisë.
Mbi 45 për qind e grave dhunën në familje e konsiderojnë çështje private
Të dhënat e hulumtimit “Vrasje të padukshme” të këshillit Kombëtar të publikuar gjatë vitit të kaluar, ka nxjerrë në pah se 60 për qind e grave besojnë se dhuna në familje është një dukuri e zakonshme, ndërsa 48 për qind besojnë se dhuna është një çështje private.
Organizatat joqeveritare thonë se këto të dhëna paraqesin kambanë alarmi për sa i përket edukimit të grave për të drejtat e tyre, veçanërisht detektimin e dhunës dhe denoncimin e saj si e drejtë për të jetuar e lirë dhe e sigurt çdo grua.
SHIKONI EDHE: Gjykatat me dënime të lehta, viktimat tërhiqen nga proceset gjyqësorePër dy dekada janë regjistruar 54 raste të femicidit
Institucionet e shtetit nuk disponojnë me të dhëna për numrin e rasteve të femicidit, pasi siç theksojnë, shumë raste nuk paraqiten dhe regjistrohen si të tilla.
Por, në bazë të të dhënave që ka mbledhur Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, "Zëri kundër dhunës", nga viti 2001 deri në vitin 2020 janë regjistruar 54 raste të vrasjes së garave.
Me ndryshimet e Kodit Penal në shkurt të këtij viti, gjykata mund të shqiptojë dënim të përjetshëm për autorët e veprave, si: vrasje me paramendim, torturë ose shkaktim i lëndimeve të rënda trupore të iniciuara nga urrejtja.
Këto ndryshime në Kodin Penal u bënë si rrjedhojë e nevojës për harmonizimin e legjislacionit të vendit në këtë pjesë me Konventën e Stambollit dhe direktivat evropiane.