Ushtria izraelite ka bastisur dhe ndaluar stafin e dy prej spitaleve të fundit funksionale në veri të Gazës, teksa autoritetet izraelite deklarojnë se ushtria është duke punuar për të çrrënjosur krejtësisht luftëtarët e Hamasit.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën me 2.3 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Izraeli ka bombarduar të martën qytezat në jug të Gazës, duke vrarë të paktën 45 palestinezë, teksa çon përpara ofensivën, me mbështetje të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht rritjes së alarmeve ndërkombëtare.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka paralajmëruar se fushata në jug të Gazës, do të zgjasë me muaj.
Në një spital të qytezës jugore Rafah, Mahmoud Zoarab, ua ka dhënë lamtumirën dy fëmijëve të tij – të birit 2 vjeç dhe vajzës së lindur dy javë më parë – të dy të vrarë nga një sulm ajror që ka goditur shtëpinë e tyre në orët e para të së martës.
SHIKONI EDHE: Drejtësia - vështirë e arritshme në konfliktin mes Izraelit e HamasitAi dhe gruaja e tij janë plagosur në sulm.
“Vetëm dy javë jetë. Ende as nuk e kemi regjistruar emrin e saj”, ka thënë gjyshja e fëmijëve të vdekur, Suzan Zoarab.
Duke iu drejtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ajo ka qarë dhe ka pyetur nëse “ai mendon se duke vrarë fëmijë do të arrijë diçka? A kanë fituar? A ka fituar çfarë ka dëshiruar?”
Ministri izraelit Gallant, ka thënë se forcat izraelite janë duke hyrë në sistemin e tuneleve në veri të Gazës, në kuadër të “pastrimit final” të rajonit nga militantët.
Në pjesën veriore të Gazës janë duke u zhvilluar operacione intensive, dhe për pasojë, autoritetet shëndetësore palestineze kanë thënë se dhjetëra njerëz janë vrarë nga bombardimet.
Pas një takimi që ka pasur me zyrtarët izraelitë të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mbrojë civilët, mirëpo ka përsëritur se SHBA-ja mbështet Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit, duke thënë se nuk është aty “për të diskutuar periudha kohore apo kushte”.
Deklaratat e tij kanë dhënë sinjal se SHBA-ja do të vazhdojë të mbrojë Izraelin prej thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim, dhe do të ofrojë ndihmë për një prej fushatave ushtarake më vdekjeprurëse të shekullit 21.
SHIKONI EDHE: Guterres: Brutaliteti i Hamasit nuk e justifikon “ndëshkimin kolektiv” të palestinezëveMinistria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 19.600 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në Gazë.
Hamasi ka vazhduar të rezistojë ndaj sulmeve, duke nisur raketa në Izrael, por nuk është raportuar për të plagosur atje.
Lufta ka nisur pasi militantët e Hamasit, dhe militantë tjerë, janë vrarë rreth 1.200 njerëz në Izrael, kryesisht civilë, dhe kanë marrë peng 240 të tjerë.
Ushtria e Izraelit ka thënë se 131 ushtarë të saj janë vrarë në ofensivën tokësore në Gazë.
Izraeli deklaron se ka vrarë rreth 7.000 militantë, pa ofruar dëshmi, dhe fajëson Hamasin se po përdor civilët si mburoja, kur lufton në zonat e banimit.