Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA e ka kaluar të enjten një projektligjin për vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), në shenjë proteste ndaj fletarrestimeve që ajo ka lëshuar kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, në lidhje me luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.
Projektligji, i cili kaloi me 243 vota për dhe 140 kundër, mundëson sanksionimin e çdo të huaji që heton, arreston, ndalon ose ndjek penalisht qytetarë amerikanë ose qytetarë të një vendi aleat, përfshirë Izraelin, të cilët nuk janë anëtarë të gjykatës.
Dyzet e pesë demokratë iu bashkuan 198 republikanëve për ta mbështetur projektligjin. Asnjë republikan nuk votoi kundër tij.
SHIKONI EDHE: Rëndësia e fletarrestimit të GJNP-së kundër Netanyahut"Amerika po miraton këtë ligj sepse një gjykatë e rreme po kërkon të arrestojë kryeministrin e aleatit tonë të madh, Izraelit", tha përfaqësuesi Brian Mast, kryetar republikan i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, gjatë një fjalimi në Dhomë para votimit.
Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili është ndër të parët prej se përbërja e re e Kongresit e nisi punën javën e kaluar, theksoi mbështetjen e fortë të republikanëve, aleatët e presidentit të zgjedhur Donald Trump, për Qeverinë e Izraelit, tani që ata kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.
Trump pritet të bëjë betimin më 20 janar për një mandat të dytë si president.
Kryetari i sapoemëruar i shumicës republikane në Senat, John Thune, është zotuar se Senati do ta shqyrtojë shpejt këtë projektligj, në mënyrë që Trumpi ta nënshkruajë atë si ligj menjëherë pas marrjes së detyrës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale është gjykatë e përhershme e cila mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit në shtetet anëtare ose nga shtetasit e tyre.
SHIKONI EDHE: GJNP-ja lëshon fletarrestime për Netanyahun dhe zyrtarët e HamasitGjykata ka deklaruar se vendimi i saj për të lëshuar fletarrestime kundër zyrtarëve izraelitë ishte në përputhje me qasjen e saj në të gjitha rastet, bazuar në një vlerësim nga prokurori që kishte prova të mjaftueshme për të bërë këtë dhe bazuar në mendimin se kërkimi i fletarrestimeve menjëherë mund t’i parandalojë krimet e vazhdueshme.
Republikanët në Kongres e kanë denoncuar GJNP-në që kur ajo lëshoi fletarrestimet për Netanyahun dhe ish-shefin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit 15-mujor në Gazë.
Izraeli i ka mohuar akuzat.
Dhoma e drejtuar nga republikanët e miratoi projektligjin për të kërkuar sanksione ndaj GJNP-së në qershor, por ai nuk u shqyrtua kurrë në Senat, i cili në atë kohë ishte nën kontrollin e shumicës demokrate.