Deti i Marmarasë bëhet zhul
Limanet, brigjet dhe sipërfaqe të mëdha të ujit të Detit të Marmarasë janë mbuluar nga një substancë e trashë ngjyrë hiri.
Ministri i Mjedisit i Turqisë është zotuar se sëmundja detare do të mposhtet nëpërmjet një plani për menaxhim katastrofe, i cili do ta sigurojë të ardhmen e detit, në jug të Stambollit.
Ministri turk i Mjedisit, Murat Kurum, ka paralajmëruar se i tërë deti do të shpallet zonë e mbrojtur.
Qeveria turke ka thënë se planifikohet të reduktohet ndotja dhe të përmirësohet trajtimi i mbetjeve ujore nga qytetet bregdetare dhe anijeve, të cilat kanë ndihmuar të përhapet mukoza detare.
Autoritetet turke u kanë bërë thirrje banorëve, artistëve dhe organizatave joqeveritare t’i bashkohen atij që pritet të bëhet operacioni më i madh i pastrimit detar në Turqi.
Operacioni për pastrimin e Detit të Marmarasë fillon të martën e 8 qershorit.
Shtresa e trashë baltake e materies organike, e njohur si mukozë detare, po rrezikon jetën detare dhe industrinë e peshkimit.
Ndër masat që Turqia planifikon të ndërmarrë është reduktimi i niveleve të nitrogjenit në det për 40 për qind.
Sipas shkencëtarëve, reduktimi i nitrogjenit në det do të rikthejë gjendjen e ujit në nivelin e mëparshëm.
Shkencëtarët vlerësojnë se ndryshimet klimatike dhe ndotja kanë kontribuar në shtimin e materies organike, e cila përmban një llojllojshmëri mikroorganizmash dhe shumohet kur ujërat e zeza rrjedhin në det.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka fajësuar mostrajtimin e ujit në qytete, përfshirë Stambollin, ku jetojnë 16 milionë njerëz, për problemin në Detin e Marmarasë.
Ministri turk i Mjedisit ka thënë se Turqia do t'i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm brenda tre vjetësh.
Sipas aktivistëve, gjendja e Detit të Marmarës është rezultat i veprimeve njerëzore.
Filmbërësi Tahsin Ceylan, i cili po bën një dokumentar për pasojat e mukozës detare, ka thënë se ndotja e Marmarasë është shkaktuar kryesisht nga mbetjet e amvisërive.
Hidrobiologu Levent Artuz ka paralajmëruar se probleme të tilla ekologjike do të vazhdojnë, nëse nuk ndryshon sjellja e njerëzve.