Deri 95 euro në muaj për mësimdhënësit e viteve 1990-1999

Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të paguhen për punën e tyre në vlerën nga 19 deri në 95 euro në muaj.

Kjo pagesë është siguruar në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999, i cili është miratuar në fund të muajit shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politik shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Periudha e viteve të ‘90-ta, për Hajriz Berishën, konsiderohet më e vështirë, por edhe më e suksesshmja gjatë karrierës së tij 40 vjeçare si profesor në shkollë të mesme. Në vitin 2014, ai është pensionuar.

Ai është i zhgënjyer me zvarritjen e zbatimit të këtij ligji, pasi përgatitjet për këtë kanë filluar pesë vite më herët. Kurse, sa i përket shumës së ndarë, ai thotë se sakrifica e arsimtarëve të asaj periudhe nuk mund të shpaguhet apo kompensohet me mjete financiare, por megjithatë e konsideron respekt për punëtorët e asaj periudhe.

“Ne atëherë punuam me vula të Republikës se Kosovës dhe me kushte vërtet shumë të vështira dhe nën presionin jo vetëm psikik, por edhe fizik të forcave serbe. Të punosh 10 vjet në aso kushte, vetëm për të mbajtur gjallë arsimin shqip, kurse tash mos të shpërblehet asgjë, është e pakuptimtë”, tha Berisha.

Arkiv: E kaluara dhe e tashmja e një mësimdhënëseje

Zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thanë për Radion Evropa e Lirë se rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-‘99, sipas Ligjit, pritet të marrin benificionet e tyre, pas daljes në pension.

Shtesa më e lartë që përfitojnë mësimdhënësit nga ky ligj në pension është 95 euro, ndërsa më e ulëta 19 euro, varësisht se sa vjet kanë punuar.

Sipas një llogarie të bërë, një mësimdhënës që ka punuar 9 vjet do “shpërblehet” më 95 euro në muaj dhe pension kontributpagues prej 260 euro. Kjo nënkupton se ata do të paguhen 355 euro në muaj.

Kurse shuma do të jetë më e vogël për mësimdhënësit që kanë punuar më pak vjet.

Ndërkaq, në rast se personi ka ndërruar jetë të drejtë kompensimi ka bashkëshortja ose bashkëshorti.

Kostoja e zbatimit të Ligjit, sipas një përgjigjeje të mëhershme të Ministrisë se Arsimit, për vitin 2019, do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.

Sidoqoftë, këto benificione mësimdhënësit pritet t’i marrin pasi Ligji të hyjë në fuqi, sapo të dekretohet nga Presidenti i Kosovës dhe të publikohet në gazetën zyrtare.

Pas kësaj, Valmir Gashi, këshilltar i ministrit të Arsimit, thotë se do të fillojnë procedurat e nevojshme për rregullimin e akteve nënligjore dhe udhëzimeve administrative përmes së cilave do të rregullohet i gjithë procesi i aplikimit.

Ndryshe, Ligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999, më 8 mars do të dërgohet në zyrën e Presidentit, tha Ismet Krasniqi, sekretar i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës se Kosovës, ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe shpallet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë ditësh, pasi të ketë marrë ligjin.

Kështu që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Përveç mësimdhënësve, sipas ligjit edhe pronarët e shtëpive që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre, të shfrytëzohen si shkolla, do të gëzojnë benificione si dhe punëtorët teknik dhe shërbyes.