Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje shefes së Bashkimit Evropian të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të vendosur sanksione ndaj Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Përmes një letre, të nënshkruar nga 28 anëtarë të Parlamentit Evropian, ata i kërkojnë shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ta sanksionojë Dodikun për shkak të veprimeve të tij rishtazi për ta ndarë Republikën Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.
“Dodiku përbën kërcënim serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, e në këtë mënyrë edhe për sigurinë e Bashkimit Evropian, për shkak të veprimeve të tij gjithnjë e më të theksuara secesioniste dhe lidhjeve të ngushta me Kremlinin”, thuhet në letër.
SHIKONI EDHE: Republika Sërpska e miraton një draft të kushtetutës së re për ta përcaktuar atë si shtetAta besojnë se përpjekjet diplomatike për të bindur Dodikun të heqë dorë nga politikat e tij të tanishme kanë dështuar dhe se sanksionet janë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Letra është nismë e deputetëve Tineke Strik, Thijs Reuten dhe Irena Joveva, e cila ka marrë përkrahjen e deputetëve të dhjetë vendeve anëtare të BE-së dhe pesë grupeve politike.
Ata kanë thënë se veprimet e Dodikut janë në përputhje me interesat e Moskës.
Eurodeputetët besojnë se Dodiku ka ndërmarrë hapa drejt shkëputjes së paligjshme të Republikës Sërpska nga Bosnja në javët e fundit.
Entiteti serb i Bosnjës i mori një sërë veprimesh rishtazi, pasi Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.
SHIKONI EDHE: Rubio: Veprimet e Dodikut e kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e HercegovinësDodik, së bashku me liderë të tjerë të Republikës Sërpska, gjithashtu dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.
Gjykata e Bosnjës urdhëroi më 14 mars vendosjen e Dodikut kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtar Nenad Stevandiq, në paraburgim 30-ditor.
Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.
Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.
Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.
Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.
Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata Boshnjako-Kroate janë entitete e që përbëjnë Bosnjën dhe ato nuk gëzojnë kompetencat e shtetit.
SHIKONI EDHE: Gjykata e Bosnjës urdhëron një muaj paraburgim për liderët e Republikës SërpskaPrandaj, sovraniteti dhe integriteti territorial janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnje e Hercegovinës dhe jo për entitetet e saj.
Më 13 mars, Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska e miratoi një draft të kushtetutës së re, e cila synon ta përcaktojë si shtet entitetin serb të Bosnjës.
Kjo kushtetutë është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dhe rrjedhimisht me Marrëveshjen e Dejtonit.
Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.