Shkup: Depolitizimi kusht për digjitalizim

Fotografi ilustruese

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se institucionet duhet fillimisht të angazhohen për forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe rritjen e efikasitetit të punës së gjykatësve, e më pas të kalohet në digjitalizimin e gjykatave.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës dhe ish- punonjës gjykate, thotë se mijëra lëndë gjyqësore ende nuk kanë epilog pasi mbahen nëpër sirtarët e gjykatësve. Selmani thotë se është në mesin e atyre që me vite nuk ka arritur të zgjidhë një proces gjyqësor në gjykatën civile.

“Nëse shikojmë lëndët civile, do të shohim se jo vetëm që ka lëndë të vjetërsuara, por edhe të zhdukura. Ka hakmarrje mes personave të ndryshëm, d.m.th. këtu ka akoma individë të caktuar, të cilët pengojnë veprimtaritë e ndryshme gjyqësore. Kemi me qindra mijëra lëndë të pazgjidhura dhe kemi mijëra njerëz, të cilët humbin të drejtat e tyre andaj edhe ndihen të dëshpëruar nga sistemi”, shprehet Selmani.

SHIKONI EDHE: Përmes digjitalizimit synohet të rritet efikasiteti i gjyqësorit  

Reagimi tij, por edhe i ekspertëve të tjerë, pasoi deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, të dielën, se Maqedonia e Veriut ka për prioritet digjitalizimin e sistemit të drejtësisë apo pajisjen e sallave me mjete elektronike, si dhe mbajtjen e gjyqeve online me qëllim përshpejtimin e proceseve.

Mariçiq tha se Qeveria është e përkushtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, i cili, siç tha, akoma po i ndien presionet nga e kaluara që janë bërë mbi Gjyqësorin në vend.

“Gjithsesi se mundet më shumë dhe më mirë, por jemi shumë më mirë sesa që ishim më parë. Ne deri para katër vjetëve nuk i dinim emrat e anëtarëve të komisionit shtetërore për parandalimin e korrupsionit, ndërsa tani ky komision ka iniciuar shumë procedura për ndjekje penale të personave të ndryshëm. Me sallat e para digjitale gjyqësore dhe sigurimin e gjykimeve në distancë, ne kemi krijuar kushte që të gjitha palët në kontestet gjyqësore të komunikojnë në mënyrë digjitale…Ne kemi treguar përkushtim të sinqertë dhe të fuqishëm në evropianizimin e vendit”, ka deklaruar Mariçiq, në Samitin Evropian për Digjitalizimin e Gjyqësorit.

SHIKONI EDHE: Digjitalizimi i gjykatave, për rritje efikasiteti apo mbulim dështimesh?

Mirjana Trajkovska, ish-gjykatëse kushtetuese thotë se depolitizimi i Gjyqësorit duhet të jetë prioriteti kryesor apo që drejtësia të ndahet nga profesionistë të fushës.

“Tani një kohë të gjatë institucionet jo vetëm në Gjyqësor, por edhe në administratën shtetërore, Polici, janë mbushur me kuadro partiake, me njerëz që nuk e kanë nivelin e duhur, që nuk e kanë përvojën adekuate. Mendoj se duhet që së pari të punohet në vendosjen e profesionalizmit në Gjyqësor, e pastaj të punojmë edhe për çështje tjera, modernizimin e kështu me radhë. Duhet punë, duhet të ketë përzgjedhje të atyre që vërtet e meritojnë të jenë pjesë e Gjyqësorit që është sfera apo pushteti më i rëndësishëm në çdo shtet”, vlerëson Trajkovska.

Pastrimi i Gjyqësorit, kusht për drejtësi të pavarur

Qytetarët e Maqedonisë Veriore nuk kanë besim në Gjyqësor

Malinka Ristevska, njohëse e çështjeve e drejtësisë, thotë e sistemi gjyqësor duhet të avancohet, duke nisur nga kuadrot, të cilët, sipas saj, duhet t’i nënshtrohen një kontrolli nga radhët e gjykatësve dhe jo ndonjë vetingu politik, siç ishte propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti kjo që është pjesë e Qeverisë.

“Një nga rreziqet kryesore nga vetingu qëndron në mundësinë e një ndikimi më të madh nga partitë politike, por edhe nga ekzekutivi mbi sistemin gjyqësor dhe në vend të rritjes së profesionalizmit dhe efikasitetit, ne mund të kthehemi pas. Shembuj të tillë ka shumë, përfshirë edhe vende të rajonit, prandaj konsideroj se pastrimi i Gjyqësorit kërkon kujdes dhe në radhë të parë duhet të bëhet nga njerëz profesionist”, thotë Ristevska.

Sipas saj, vetëm pasi të arrihen standardet profesionale në punën e gjyqësorit mund të vazhdohet me fazën e radhës, digjitalizimin e çështje të tjera.

SHIKONI EDHE: Lufta për sundimin e shtetit të së drejtës

Digjitalizimi i sistemit gjyqësor paralajmërohet që nga viti maji i vitit të kaluar kur me Ministrinë e Drejtësisë udhëheq Bojan Mariçiq. Ai në shtator të vitit 2021 kishte thënë se deri në fund të këtij viti do të nisnin me punë gjykatat e para digjitale dhe se në këtë proces ishin përfshirë edhe ekspertë amerikanë, me qëllim të ofrimit të shërbimeve të shpejta dhe cilësore, por deri tani kjo nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, digjitalizimi kërkon përgatitje të shumta për shkak të specifikave që mund të kenë lëndët, por edhe nevojën për sigurimin e përkthimeve në rastet kur lëndët kanë të bëjnë me pjesëtarë të entiteteve, të cilët kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre.

Sipas hulumtimeve të ndryshme, Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është në mesin e institucioneve me besueshmëri të ulët.