Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës duke u përgjigjur në pyetje lidhur me përvjetorin e parë të marrëveshjes së Uashingtonit.
“Në mënyrë që të mbështetet suksesi i dialogut dhe përpjekjeve të tjera, ne inkurajojmë të dy palët që të mbajnë moratoriumin e tyre mbi çështjen e njohjeve që komplikon përparimin në fushat teknike”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Dy versione të dokumentit prej gjashtëmbëdhjetë pikash, për palët kosovare dhe serbe, u nënshkruan një vit më parë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha në përgjigje për Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Kosovën dhe Serbinë në përmbushjen e detyrimeve të tyre, duke mbështetur, siç tha ai, qëllimin e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre.
"Shpresojmë që partnerët tanë të respektojnë detyrimet që ata pranuan vitin e kaluar në Uashington në mirëbesim. Elemente të shumta të marrëveshjes mbështesin prioritetet e vizionit tonë më të gjerë të rajonit - diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, aplikimin e një moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur ", u tha për Zërin e Amerikës nga Departamenti i Shtetit.
Gjithashtu u theksua se nevoja për normalizim të plotë nuk është e kufizuar në kohë, prandaj Kosova dhe Serbia inkurajohen të ndërtojnë besim politik.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit"[Kjo duhet të bëhet]përmes pjesëmarrjes serioze dhe thelbësore në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të shënojnë bashkëpunim në fushat e interesit të përbashkët, siç është rimëkëmbja nga pandemia dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare", thuhet në përgjigje në të cilën theksohet mbështetja e SHBA-së.
"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, detyruese për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e fokusuar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe përparim të qëndrueshëm.Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të përfshihen sërish në proces-duke pasur parasysh urgjencën e zgjidhjes së çështjeve teknike dhe politike," thuhet tutje në përgjigje.
Marrëveshja e ndërmjetësuar zyrtarisht nga Trump, u bë në thelb e mundur nga Richard Grenell, ish- i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi. Qasja e ish-administratës amerikane, sipas zyrtarëve të saj në atë kohë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi ishte fokusuar ekskluzivisht në bashkëpunimin ekonomik midis dy palëve, i cili, siç pritej, përfundimisht duhet të kontribuojë në afrimin politik dhe përfundimisht një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin.