Gjykata Revolucionare Islamike e ka dënuar karikaturisten iraniane, Atena Farghadani, me gjashtë vjet burgim, njoftoi avokati i saj.
Mohammad Moqimi tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se Farghadani mori pesë vjet dënim për "fyerje të besimeve të shenjta" dhe një vit shtesë për "propagandë" kundër Republikës Islamike, për aktivizmin e saj.
Sipas avokatit, dënimet iu komunikuan zyrtarisht artistes më 10 qershor.
Ai theksoi se gjykata vendosi dënimet më të ashpra, duke përmendur numrin e shkeljeve që pretendohej se ajo kishte kryer.
Kjo nuk është përballja e parë e Fargadanit me sistemin e drejtësisë iraniane.
Vitin e kaluar, ajo u vendos në paraburgim pasi kishte vizituar prokurorinë e Evinit dhe u ndalua nga forcat e sigurisë.
Ajo tashmë ka mbajtur 18 muaj burgim për akuzat që përfshijnë "mbledhje dhe bashkëpunim", "aktivitete propagandistike kundër shtetit" dhe "fyerje të udhëheqjes dhe presidentit".
Arrestimi i fundit i Fargadanit ndodhi më 14 prill, pas së cilit Moqimi raportoi se ajo ishte rrahur rëndë.
Duke refuzuar të pranonte garancinë e caktuar për paraburgimin e saj, për të cilin ajo tha se ishte "arbitrar", Farghadani u transferua në burgun Qarchak pranë Teheranit.
Ky burg është i njohur për kushte të vështira.
Farghadani u njoh ndërkombëtarisht kur Rrjeti Ndërkombëtar i të Drejtave të Karikaturistëve i dha asaj çmimin "Guximi në karikaturë", në gusht 2015.
Ajo është diplomuar në art nga Universiteti Alzahra.
Dënimi është pjesë e një fushate të gjerë shtypjeje në përgjigje të protestave Gratë, Jeta, Liria në vitin 2022, gjatë së cilave shumë artistë dhe aktivistë të njohur janë shënjestruar në mënyrë të ngjashme.