Burgim me kusht për pjesëmarrje në Revolucionin shumëngjyrësh

Gjuajtja me ngjyrë e ndërtesës së Qeverisë në Shkup- Foto nga arkivi

Profesorit Zdravko Saveski Gjykata e Apelit të premten më 18 mars i shqiptoi dënimin burgim me kusht prej gjashtë muajsh, për veprën “pjesëmarrje në turmë”. I dënuar për rastin e demolimit dhe ngjyrosjes së zyrave të presidentit të atëhershëm, Gjorgje Ivanov, që amnistoi ish-zyrtarët e lartë të shtetit, për të cilët kishte dyshime se ishin të përfshirë në afera korruptive, Saveski thotë se Maqedonia e Veriut mbetet akoma shumë larg funksionimit të shtetit ligjor.

“Për fat të keq, në një shtet ku sistemi politik dhe ai gjyqësor mbetet i kalbur, njeriu nuk mund të presë se do të arrijë deri te drejtësia.

Nuk ka as demokraci, e as shtet ligjor, e as drejtësi. Kemi të bëjmë me keqpërdorimin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve, me ç’rast veprat kriminale edhe më tej mund të kalojnë pa u dënuar, kurse dikë mund ta dënojnë pa pasur asnjë faj, pa pasur dëshmi për të dhe duke iu marrë e drejta për t`u mbrojtur”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Zdravko Savevski, profesor universitar.

SHIKONI EDHE: Sfida e Maqedonisë së Veriut në luftimin e korrupsionit në nivel të lartë

Zdravko Saveski dhe Vlladimir Kunovski nga Gjykata e Apelit në Shkup janë dënuar për vepër penale “pjesëmarrje në turmë’ për demolimin e zyrës së presidentit të atëhershëm Gjorgje Ivanov.

Protestat e prillit të vitit 2016 kishin të bëjnë me shprehjen e revoltës ndaj vendimit të presidentit të atëhershëm, i cili amnistoi 56 persona, për të cilët nga bisedat e përgjuara, ishin ngritur dyshime se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare.

Protestuesit e Revolucionit shumëngjyrësh, kishin të bëjnë me instalimin e shtetit të së drejtës dhe llogaridhënien nga ana e strukturave udhëheqëse.

"Revolucioni shumëngjyrësh në Maqedoni

Saveski dhe Kunovski për këtë vepër në prill të vitit 2016, kishin kaluar 50 ditë në arrest shtëpiak.

Savevski thotë se nuk ndihet i befasuar nga ky vendim i gjykatës.

“Qëllimi i Revolucionit shumëngjyrësh që moti është vënë në harresë. Ata që luftuan kundër regjimit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, sot dënohen sikur të ishin kriminelë”, thotë ai, duke shtuar se ky vendim, ishte marrë shumë më herët nga struktura, që sipas tij, nuk janë pjesë e sistemit gjyqësor por pjesë e kuluareve politike për t’i heshtur ata që kërkojnë drejtësi.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ndaj përfaqësuesve të Revolucionit shumëngjyrësh, paraqet një shuplakë për të gjithë ata të cilët ngrenë zërin ndaj padrejtësive dhe kërkesës për llogaridhënie”, thekson ish- gjykatësi Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.

SHIKONI EDHE: Tensione në Shkup – përplasje e protesuesve me policinë

“Është fakt se një nga problemet bazë që drejtohet në aspektin e psikologjisë së legjislacionit dhe vërejtjeve ndaj funksionimit të gjykatave është se ata që ngrenë zërin ndaj padrejtësive, burgosen ose marrin dënime të caktuara më të lehta, kurse ata që krijojnë padrejtësi dhe krijojnë probleme asnjëherë nuk dalin para drejtësisë, pra nuk ballafaqohen me drejtësinë. Pikërisht këtu është padrejtësia, mosfunksionimi i shtetit ligjor, pasi në shumicën e rasteve ngatërrohet pozita përkatësisht roli i të akuzuarit me viktimën”, thotë Selmani për Radion Evropa e Lirë.

Nën ombrellën e njohur si “Revolucioni shumëngjyrësh”, kundër regjimit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe me kërkesën për t’u ballafaquar me drejtësinë, të gjithë ish-zyrtarët për të cilët nga bisedat e përgjuara kishte indicie se janë të përfshirë në vepra kriminale dhe korrupsion, u mblodhën shumë qytetarë, organizata joqeveritare, intelektualë, si dhe zyrtarë të partisë atëkohë në opozitë Lidhjes Social Demokrate, në krye të së cilës ishte Zoran Zaev.

Gjatë protestave qytetarët u ballafaquan në shumë raste me kordonët e policisë, me ç’rast pati policë të lënduar dhe protestues të arrestuar. Për një pjesë të tyre vazhdon procesi gjyqësor përderisa një pjesë tjetër është dënuar me kusht.