Një gjykatë finlandeze e dënon një rus për krime lufte në Ukrainë

Yan Petrovsky, i njohur edhe si Voislav Torden. Fotografi nga arkivi.

Yan Petrovsky, i njohur edhe si Voislav Torden. Fotografi nga arkivi.

Një gjykatë në Helsinki të Finlandës e gjeti fajtor një rus për kryerjen e krimeve të luftës në lindje të Ukrainës, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Finlandës e akuzoi Yan Petrovskyn, i njohur edhe si Voislav Torden, për krime të luftës të kryera në Ukrainë më 2014 dhe 2015.

Emri i tij u lidh me vdekjen e 22 ushtarëve ukrainas dhe plagosjen e katër të tjerëve.

Torden, ish-komandant i grupit sabotues, Rusich, kishte luftuar kundër forcave ukrainase në rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk.

Ai është akuzuar se ka shkelur ligjet e luftës dhe ka kryer akte të mizorisë kundër të plagosurve dhe luftëtarëve të vrarë të armikut, u tha në aktakuzë.

Pse Torden u gjykua në Finlandë?

I lindur me emrin Yan Petrovsky më 1987 në Shën Petersburg, Torden u zhvendos në Oslo më 2004 së bashku me nënën e tij. Më pas ai vazhdimisht kishte vizituar Rusinë, ku u takua me parashutistin dhe nacionalistin, Aleksandr Milchakov.

Më 2014, ata udhëtuan për në rajonin ukrainas të Donbasit për të mbështetur separatistët e mbështetur nga Rusia në luftën e tyre kundër forcave ukrainase.

Torden u dëbua nga Norvegjia për në Rusi më 2016, ku mori emrin Voislav Torden.

Ai hyri në Finlandë më 2023 si anëtar i familjes së gruas të tij, pasi kishte leje të qëndrimit si student.

Torden u arrestua në aeroportin e Helsinkit më 20 korrik, teksa po tentonte të udhëtonte për në Francë.

Pas arrestimit të tij, autoritetet ukrainase kërkuan ekstradimin e tij, por Gjykata Supreme e Finlandës e refuzoi një kërkesë të tillë, duke u thirrur në shqetësime lidhur me kushtet e të burgosurve ukrainas dhe mundësisë që Torden të përballej me poshtërim gjatë qëndrimit në paraburgim.